Memorandumi trepalësh mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, MPJD: Nuk frikësohemi nga kërcënimet e Serbisë

by Nexhat

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Serbia tha se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia dhe Shqipëria që bashkë me Kosovën nënshkruan Deklaratën e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak.

MPJD thotë se kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat Serbia ka pretenduar se i pranon, por ka refuzuar me qëllim t’i nënshkruajë—duke dëshmuar edhe një herë qëllimet e saj të këqija dhe mungesën e vullnetit për t’u angazhuar në një dialog të mirëfilltë.

banner

“Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë”, thuhet në reagim.

Tutje, MPJD thotë se kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera.

“Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si “garantuese e paqes në Ballkan” është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit”, thuhet në reagim.

Sipas MPJD’së, Serbia në vend që të lëshojë deklarata agresive dhe thellësisht mashtruese,  duhet të fokusohet në respektimin e marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’u bërë një aktor përgjegjës në rajon—duke filluar me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

“Për më tepër, përpara se Serbia t’u mbajë leksione të tjerëve për paqen dhe stabilitetin, ajo duhet të hapë arkivat e saj të klasifikuara të kohës së luftës, në mënyrë që krimet e saj të përballen me drejtësinë”.

Tutje në reagim thuhet se “Republika e Kosovës nuk do të frikësohet nga kërcënimet e Serbisë dhe do të vazhdojë të forcojë sigurinë dhe partneritetet e saj ndërkombëtare në bashkëpunim me aleatët e saj”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy