Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan këtë javë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Pa dhënë detaje konkrete, ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
Serbia e pa këtë si hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, kurse Kosova tha se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.
Njohës të sigurisë, në Prishtinë dhe në Beograd, nuk e shohin deklaratën si hap drejt formimit të një aleance formale të mbrojtjes, sikurse është ajo e NATO-s
Çfarë i bashkon tri shtetet?
Për Ramadan Ilazin, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), rëndësia e deklaratës qëndron te fakti se erdhi në kohën kur është rritur paparashikueshmëria e aleancave ekzistuese të sigurisë në botë.
Ai e sheh nismën si hap drejt forcimit të alternativave ose aleancave strategjike, që Kosova të avancojë në aspektin e mbrojtjes, pasi ende nuk ka një rrugë të qartë të anëtarësimit në NATO.
“Unë nuk jam optimist që kjo aleancë shënon fillimin e krijimit të një blloku formal të mbrojtjes, por më shumë të një grupi të ri të shteteve në Evropë, të cilat e ndajnë të njëjtin shqetësim ose të njëjtin lexim të situatës së sigurisë në Evropën Juglindore”, tha Ilazi për Radion Evropa e Lirë.
Ilazi beson se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe vetë aleanca, do të jenë ombrellë e këtyre bashkëpunimeve, pasi nuk mendon se Shqipëria dhe Kroacia do të vepronin në kundërshtim me interesat e NATO-s në rajon.
Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuuese të kamotshme për stabilitet rajonal, edhe përmes kornizës të KFOR-it. I pyetur për nismën e re, zyrtari tha se aleanca “është në dijeni”, por se u takon palëve nënshkruese të deklaratës të thonë më shumë.

Pavarësisht se nuk e ka formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare, nisma, me vullnet politik të palëve, mund të çojë “në veprime të buta politike”, sipas ekspertit për çështje të sigurisë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, Vuk Vuksanoviq.
Ai tha për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi ballkanik pjesërisht është nxitur mes paralajmërimeve për një reduktim të mundshëm të “angazhimit të Shteteve të Bashkuara në NATO, nëse evropianët nuk investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre”.
Sipas Vuksanoviqit, në një mjedis ku NATO-ja nuk largohet, por “ku ajo dobësohet, mund të ndodhë që shtetet e caktuara të formojnë grupime joformale për të bashkëpunuar”.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia paralajmëruan se nisma mund të zgjerohet me anëtarë të rinj, ndonëse s’kanë përmendur emra shtetesh. Megjithatë, Serbia aludoi se një nga këto shtete mund të jetë Bullgaria.
Edhe nëse i shtohen vende të tjera, Ilazi nuk mendon që ky grup po lëviz drejt krijimit të një aleance ushtarake që mishëron parimet e NATO-s, sikurse mbrojtja kolektive.

Pse Serbia po e kundërshton nismën?
Beogradi kërkoi shpjegim nga Tirana dhe nga Zagrebi lidhur me qëllimet e nismës, teksa tha se “nuk do të lejojë veprime të njëanshme që mund të rrezikojnë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”.
Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës u kundërpërgjigj, duke thënë se një sjellje e tillë e Serbisë paraqet një shkelje të re të Marrëveshjes së Brukselit, “e cila përcakton qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës”.
Ndërkaq, Kroacia tha se ka kaluar koha kur Zagrebi i kërkonte leje Beogradit se si të vepronte e më kë të bashkëpunonte.
Për Vuksanoviqin, Serbia me më shumë gjasa e sheh këtë nismë si “provokim politik nga ana e Zagrebit”.
Sipas tij, pushteti në Beograd mund ta përdorë këtë zhvillim për të zhvendosur vëmendjet nga situata politike në Serbi dhe protestat që po mbahen atje tash e disa muaj.
Edhe Ilazi mendon se reagimi i ashpër i Serbisë është thjesht për shkak të përfshirjes së Kroacisë, e cila në vitet ’90 zhvilloi një luftë për pavarësi nga ish-Jugosllavia.
Megjithatë, ai konsideron se bashkëpunimi trepalësh është nxitur nga mendimi i njëjtë se Rusia ushtron një ndikim dashakeqës në rajon, dhe se regjimet autokratike në rajon paraqesin kërcënim për stabilitetin e Ballkanit – akuza që janë bërë vazhdimisht edhe nga autoritetet kosovare.
Përderisa mendon se Kosova do të përfitonte shumë nga përvojat e dy shteteve të NATO-s, por edhe nga trajnimet e ndryshme, Ilazi shpreh skepticizëm rreth zbatimit të nismës, duke kujtuar nivelin e ulët të zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme mes Prishtinës dhe Tiranës. /REL