Arma e cila nuk është e lejueshme të përdoret, e të cilën e ka përdorur Serbia kundrejt protestave në protestën e 15 marsit në Beograd, siç duket nuk ka gjetur përdorim për herë të parë atë ditë.
Mediumi hulumtues në Serbi, BIRN ka zbuluar se një lloj arme zanore e quajtur ‘Top zanor’ e ngjashme me atë që u përdor për të shpërndarë protestuesit, është përdorur nga policia serbe edhe në nëntor të vitit 2023.
Sipas BIRN, kjo lloj arme zanore është përdorur kundër rreth 35 refugjatëve, kryesisht burra, me disa gra dhe fëmijë që u kapën nga paniku dhe u përpoqën të arratiseshin nëpër fusha pranë një shtëpie të braktisur në periferi të Somborit në Serbi.
Policia sapo kishte hyrë në banesën e tyre dhe befas një tingull i fortë e depërtues jehoi nga drejtimi i fushave pas vendbanimit.
“Një automjet i rregullt i policisë serbe hyri në vendbanim, duke bërë që njerëzit të iknin në fushat prapa vendbanimit. Dukej sikur policia ishte vendosur në fushën prapa vendbanimit për të përgjuar njerëzit që kishin ikur”, thuhet në një shënim të njërës prej organizatave që ishte në vendngjarje, të cilën e ka parë BIRN.
Megjithatë, diçka specifike binte në sy nga ai që dukej si një operacion standard policor.
“Gjatë rrëmujës, një tingull i fortë shpues – më i lartë se një e shtënë arme – u lëshua nga një pajisje që i ngjante një arme, e cila po përdorej nga një nga oficerët e policisë në një fushë prapa rezidencës [refugjatëve]. Supozohet se kjo është përdorur për të përshpejtuar procesin e kapjes së personave që nuk kishin ikur”.
Zbulimi i BIRN-it se një lloj arme zanore është përdorur kundër refugjatëve përkon me atë që thuhej shkurt në një raport të Grupit të Monitorimit të Dhunës Kufitare, një grup organizatash që punojnë për të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve, botuar në nëntor 2024.
Ai thekson se policia serbe përdori një “pajisje të ngjashme me armën për të prodhuar tinguj” gjatë dëbimit të detyruar të refugjatëve.
“E fundit, por jo më pak e rëndësishme, stafi i Ndihmës Kolektive raportoi se kishte parë përdorimin e një “pajisjeje të ngjashme me armën që përdor valët e zërit” për të “prodhuar zhurmë dhe trembur njerëzit gjatë dëbimeve”, thuhet në raport.
Raporti, i cili shqyrton teknologjinë e vëzhgimit të përdorur për refugjatët dhe emigrantët, thekson gjithashtu se dyshohet të jetë një pajisje LRAD.
LRAD është një shkurtim në anglisht për pajisjen akustike me rreze të gjatë.
Në nëntor 2023, mediumi pohon se policia serbe kreu operacionin më të gjerë në disa kohë kundër bandave të armatosura të kontrabandës me origjinë nga Afganistani, Maroku dhe Siria që dyshohet se ndodheshin në Serbi.
Gjatë këtyre aksioneve, ekspertë të të drejtave të njeriut në lëvizje vunë në dukje edhe shkelje të të drejtave të refugjatëve të zakonshëm, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me veprimtari kriminale.
Operacioni i gjerë policor, i cili zgjati disa muaj, u përfshinë pjesëtarë të policisë së rregullt, forcave të ndërhyrjes policore, xhandarmërisë dhe Njësisë Speciale Antiterroriste, SAJ.
Çka është ‘topi zanor’?
Topi zanor është një armë jo vdekjeprurëse që përdoret për të shkaktuar zhurma shumë të forta, me qëllim të çorientimit dhe frikësimit të turmave. Kjo armë përdor teknologjinë për të krijuar një shpërthim zanor të fuqishëm, i cili mund të ndikoje drejtpërdrejt në dëgjimin e individëve, duke shkaktuar konfuzion dhe pasiguri, dhe shpesh i detyron ata të largohen nga zona e goditur.
Topat zanorë përdoren kryesisht nga forcat e sigurisë për të menaxhuar situatat e tensionuara gjatë demonstratave ose protestave, duke i penguar protestuesit të veprojnë ose të organizohen siç mund të ndodhte pa një ndërhyrje të tillë.
Përveç kësaj, përdorimi i këtyre armëve është shpesh i diskutuar në lidhje me efektet e mundshme negative që mund të kenë ato mbi shëndetin e individëve, siç është dëmtimi i dëgjimit.
Teknologjia pas topave të zërit funksionon duke drejtuar valët e zërit në një rreze të ngushtë. Kjo lejon që zëri të udhëtojë mbi një distancë më të gjatë dhe me më shumë saktësi.