‘‘Çështje që kërkojnë rishikim’’: Komisioni i Venecias publikon opinionet mbi projektligjet e reformës në drejtësi në Kosovë

by Nexhat

Komisioni i Venecias ka publikuar opinionet e tij mbi disa projektligje të cilat dalin nga procesi i reformës në drejtësi sipas deklaratës së përbashkët të zotimeve, përfshirë Ligjin për Akademinë e Drejtësisë, projektligjet për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit, avancimin dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndryshimet në ligjin për përgjegjësinë disiplinore të tyre, si dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Opinioni është dhënë me kërkesë të ministres së Drejtësisë.

Sa i përket Ligjit për Akademinë e Drejtësisë, ndryshimet ligjore e konsiderojnë Akademinë si një agjenci të pavarur në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar nevojën që ajo të mbrohet nga çdo ndikim i jashtëm. Një nga rekomandimet kryesore është zgjerimi i përbërjes së Bordit Drejtues të Akademisë me më shumë gjyqtarë dhe prokurorë të zgjedhur nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe largimi i Ministrit/es së Drejtësisë nga ky organ.

banner

Po ashtu, për më tepër, Komisioni rekomandoi që ligji të përshkruajë më hollësisht procedurat për përfundimin e trajnimit fillestar, përfshirë kriteret e vlerësimit, procesin e testimit, pasojat e dështimit për të përfunduar me sukses trajnimet dhe mundësinë e apelimit të vendimeve.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në lidhje me këtë çështje kishte thënë se kandidatët të cilët nuk mund të marrin pjesë në trajnimin fillestar në pamundësi objektive të pjesëmarrjes duhet t’iu ofrohen mundësi të ndryshme për përfundim të trajnimit në mënyrë që të mos e humbasin statusin e tyre.

Në lidhje me Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit, avancimin dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni i Venecias ka theksuar se vlerësimi i performancës është konceptuar për të përmirësuar cilësinë e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i dhënë prioritet kritereve cilësore mbi ato sasiore, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. Po ashtu, është vlerësuar fakti se është përcaktuar që vendimet disiplinore të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial t’i nënshtrohen shqyrtimit nga Gjykata Supreme.

Theksohet rëndësia e vlerësimit të performancës duke u bazuar më shumë në cilësi sesa në sasi, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. Megjithatë, Komisioni kërkon rishikimin e disa dispozitave, si heqja e shkarkimit automatik të gjyqtarëve dhe prokurorëve pas dy vlerësimeve të njëpasnjëshme negative.

Megjithatë, Komisioni ka identifikuar disa çështje që kërkojnë rishikim, duke rekomanduar përfshirjen e të drejtës për mjet juridik efektiv ndaj vendimeve të këshillave për rekrutim dhe emërim, sqarimin e termave “dështim i vazhdueshëm” dhe “detyrat e vazhdueshme”, si dhe heqjen e mundësisë së shkarkimit automatik në rast të dy vlerësimeve të njëpasnjëshme “të dobëta” të performancës.

Për këtë çështje, IKD kishte rekomanduar që të rishqyrtohet kjo dispozitë, në atë mënyrë që në secilin rast kur vlerësimi i performancës ta nxjerrë një gjyqtar apo prokuror me vlerësim të dobët, kjo të shërbejë si bazë për propozimin e shkarkimit të tij nga funksioni.

Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni thekson nevojën për një kategorizim më të qartë të shkeljeve disiplinore sipas rëndësisë dhe lidhjen e tyre me sanksione proporcionale. Kritikohet dispozita që lejon pezullimin e përkohshëm të një gjyqtari apo prokurori bazuar në “informacione të besueshme”, duke e konsideruar këtë term si të paqartë dhe të papërcaktuar saktësisht.

Në opinionin mbi Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe ndryshimet e propozuara, Komisioni i Venecias e vlerëson përmirësimin e transparencës dhe funksionimit të KGJK-së, por kërkon ndryshime në përbërje dhe procedura. Sugjerohet që gjashtë anëtarët e emëruar nga Kuvendi të jenë jogjyqtarë, ndërsa tre prej tyre të jenë përfaqësues të avokatëve, prokurorëve, noterëve, akademikëve apo shoqërisë civile, dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të përcaktohen në ligj me kritere të qarta dhe me përfshirjen e ekspertëve.

Një tjetër aspekt i ngritur është nevoja për vendosjen e një mekanizmi në ligj për të balancuar përbërjen gjinore në KGJK, si për anëtarët gjyqtarë ashtu edhe për ata jogjyqtarë. IKD i kishte rekomanduar MD-së që ta rishqyrtojë këtë dispozitë, duke e përcaktuar saktësisht nivelin e nevojshëm të përfaqësimit etnik dhe gjinor në sistemin e drejtësisë.

Një tjetër rekomandim i Komisionit ka të bëjë me sigurimin e një mekanizmi për qartësimin e kompetencave të Njësisë së Inspektimit dhe Verifikimit të KGJK-së, si dhe përcaktimi i kritereve për anëtarët e saj.

Përveç kësaj, Komisioni sugjeron që procedurat disiplinore ndaj anëtarëve të KGJK-së të jenë të përcaktuara qartë në ligj, me kritere të sakta për masat disiplinore dhe shkarkimin.

Sa i përket drejtimit të KGJK-së, Komisioni rekomandon që kryetari ose nënkryetari të jetë preferueshëm një anëtar jogjyqtar ose që kryesimi të bëhet në mënyrë rotative mes anëtarëve gjyqtarë dhe jogjyqtarë. Gjithashtu, për vendimet më të rëndësishme rekomandohet një shumicë e kualifikuar, ndërsa në rast të votave të barabarta, kryetari i KGJK-së të ketë një votë vendimtare për të shmangur bllokimet.

Në përfundim, Komisioni i Venecias ka inkurajuar implementimin e rekomandimeve për një sistem më transparent, të pavarur dhe funksional.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) përmes një komunikate për medie të mërkurën (19 mars) tha se mirëpret opinionet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy