Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci ka reaguar pasi të mërkurën “KOHA” ka raportuar se kjo ministri ka paguar 66 mijë euro për pastrimin e 33 hapësirave në objektin ku kishte pasur selinë prej vitesh partia e Ramush Haradinajt.
Në këtë reagim të MBPZHR-së kanë publikuar disa foto për të treguar gjendjen e objektit dhe hapësirat në të cilat ka pasur orendi, e që sipas fotografive shihet që bëhet fjalë kryesisht për hapësira në pjesën përdhese të objektit.
Vetë Ministria në këtë reagim konfirmon që para se të niste renovimi, është dashur ta kthejnë objektin në pikën zero, meqë sipas Ministrisë objekti ishte lënë në gjendje të mjerueshme.
“Pas sugjerimeve profesionale, u iniciua projekti “Renovimi i objektit të MBPZhR-së në Ulpianë”. Në kuadër të këtij projekti janë realizuar edhe punimet, ndërsa përmes fotografive/dëshmive mund të shihet se fillimisht është bërë pastrimi dhe kthimi i objektit në pikën zero para nisjes së renovimit”, thuhet në reagim.

Në fotografitë që ka publikuar ministria është edhe hapësira ku Ramush Haradinaj mbante takimet. Në pamjet e publikuara nga “KOHA”, ajo hapësirë ishte lënë e thatë pa asgjë, ndërkohë në pamjet që ka publikuar ministria shihet që aty janë vendosur vetëm orenditë e reja.
Mes tjerash, Ministria ka treguar edhe për një aneks-kontratë që kanë lidhur me renovimin, meqë kompania që kishin angazhuar, kishte gabuar edhe në matjen e hapësirave, duke llogaritur rreth 50 metra më pak dhe se kishin dalë disa probleme me lyrjen dhe stabilitetin e mureve.
“Ndërkaq, nevoja për një aneks-kontratë lindi për shkak të tre pozicioneve të domosdoshme, siç vijon:1. Gjatë mbulimit të kulmit me llamarinë, projektuesi kishte gabuar në matjen e gjatësisë, duke llogaritur rreth 50 metra më pak”, thuhet në reagim.