Plenkoviq: BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkan, sidomos në Bosnje e Serbi

by Nexhat

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, tha të enjten kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

“Duhet ta vëzhgojmë gjendjen në Evropën juglindore, posaçërisht stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe situatën në Serbi”, tha Pllenkoviq para samitit të BE-së në Bruksel.

banner

“Ka kaq shumë ngjarje globale për momentin, është koha që një pjesë e asaj vëmendjeje të fokusohet edhe në një rajon që është treguar shumë i ndezshëm gjatë 35 vjetëve të fundit”, deklaroi Andrej Pllenkoviq për gazetarë.

Ai po i referohej krizës më të rëndë politike në Bosnje që nga përfundimi i luftës së saj 1992-95, e shkaktuar nga lëvizjet separatiste të Republikës Sërpska, pasi lideri i saj, Millorad Dodik, u dënua me një vit burg për shpërfilljen e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Pllenkoviq gjithashtu iu referua edhe protestave disamujore kundër Qeverisë në Serbi, pas vdekjes së 15 njerëzve nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad në nëntor.

Sipas transmetuesit publik kroat, HRT, kryeministri kroat deklaroi në Bruksel se e kupton që në Serbi po përpiqen të kërkojnë probleme diku tjetër, por se ato nuk gjenden në memorandumin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar rishtazi mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ky është një memorandum për bashkëpunim të përbashkët, nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj që tani po kërkohen probleme diku tjetër, por në këtë tekst ato nuk ekzistojnë”, tha Pllenkoviq duke iu përgjigjur pyetjes për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha të mërkurën se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Lideri serb tha se memorandumi përbën shkelje të të ashtuquajtures marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armatimit nga viti 1996 dhe se është “pothuajse i sigurt” që për këtë nuk është njoftuar NATO-ja.

Pllenkoviq nguli këmbë se ky memorandum ndihmon përpjekjet e Kosovës dhe Shqipërisë në reformat e tyre dhe në shkëmbimin e përvojave./REL/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy