Një armëpushim i brishtë që kishte hyrë në fuqi më 27 nëntor është dëmtuar nga akuza të përsëritura për shkelje nga të dyja palët, por paralajmërimi i fundit i izraelit po paralsmëron kërcënimin më të madh deri tani pas qetësisë relative që kishte sjellë armëpushimi në zonat kufitare.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në qytetin kufitar Metula herët të shtunën. Ushtria tha se ishte hera e parë që sirenat binin si përgjigje ndaj zjarrit me raketa nga Libani që nga dita para armëpushimit.
Ushtria izraelite tha se të tre raketat u kapën nga sistemet mbrojtëse dhe nuk pati ndonjë pretendim të menjëhershëm për përgjegjësi.
Megjithatë, krerët e mbrojtjes izraelite thanë se e konsiderojnë qeverinë libaneze përgjegjëse për çdo zjarr armiqësor nga territori i saj, pavarësisht se kush e lëshon atë.
“Nuk mund të lejojmë zjarr nga Libani mbi komunitetet e Galilesë,” tha ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, duke iu referuar qyteteve dhe fshatrave në veri, shumë prej të cilëve u evakuuan pasi grupi militant libanez Hezbollah filloi të hapte zjarr mbi Izraelin në mbështetje të Hamasit në tetor 2023.
“Qeveria libaneze është përgjegjëse për sulmet nga territori i saj. Kam urdhëruar ushtrinë të përgjigjet siç duhet,” tha Katz.
“Ne kemi premtuar siguri për komunitetet e Galilesë dhe kjo është pikërisht ajo që do të ndodhë. Fati i Metulës është i njëjtë me atë të Bejrutit.”
Shefi i forcave të armatosura, Eyal Zamir, paralajmëroi se ushtria do të “përgjigjet ashpër”.
“Shteti i Libanit mban përgjegjësi për respektimin e marrëveshjes,” tha ai, duke iu referuar armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut që ishte nënshkruar nga qeveria në anën libaneze.
Kryeministri paralajmëron Libanin për ‘fatkeqësi’ të reja
Kryeministri libanez, Naëaf Salam, paralajmëroi se vendi rrezikon të tërhiqet në një “luftë të re” pas muajve të një qetësie relative.
“Salam paralajmëroi kundër rinisjes së operacioneve ushtarake në kufirin jugor për shkak të rreziqeve që ato mbartin për të tërhequr vendin në një luftë të re, e cila do të sjellë fatkeqësi për Libanin dhe popullin libanez,” thuhet në një deklaratë nga zyra e tij.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) raportoi se avionët luftarakë izraelitë fluturuan mbi zonat lindore të jugut të Libanit dhe se raketat interceptuese shpërthyen.
NNA tha gjithashtu se trupat tokësore izraelite kishin qëlluar me armë automatike drejt kodrave Hamames.
Raportohej gjithashtu për zjarr artilerik izraelit në distriktin Nabatieh në jug dhe në qytetin Khiam, i cili u godit nga “tre predha (të lëshuara nga) tanket Merkava”.
Salam i bëri thirrje ministrit të Mbrojtjes që “të marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe ushtarake, duke këmbëngulur se vetëm shteti mund të vendosë për luftë dhe paqe”.
Nuk pati pretendime të menjëhershme për zjarrin me raketa të raportuar nga ushtria izraelite.
Megjithëse Hezbollah ka lëshuar shumicën e raketave gjatë dy viteve të fundit, dega libaneze e grupit militant palestinez Hamas ka marrë përsipër disa sulme.
Sipas kushteve të armëpushimit, Hezbollah duhej të tërhiqte forcat e tij në veri të lumit Litani, rreth 30 kilometra (20 milje) larg kufirit izraelit, dhe të çmontonte çdo infrastrukturë të mbetur ushtarake në jug.
Izraeli ka kryer sulme të përsëritura ajrore gjatë armëpushimit, duke thënë se kishte shënjestruar vendet ushtarake të Hezbollahut që shkelin marrëveshjen.
Përshkallëzimi i së shtunës në kufirin libanez erdhi ndërsa ofensiva e re e Izraelit kundër militantëve të Hamasit në Gaza hyri në ditën e saj të pestë.
Rinisja e operacioneve ushtarake nga Izraeli në territorin palestinez të martën theu qetësinë relative që kishte mbizotëruar që nga armëpushimi i 19 janarit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit tha të premten se kishte urdhëruar ushtrinë të “pushtojë më shumë territor në Gaza”, të cilin do ta aneksonte nëse Hamasi nuk i përmbahej kërkesave të Izraelit për hapat e ardhshëm në armëpushimin e Gazës.
“Sa më shumë që Hamasi refuzon të lirojë pengjet, aq më shumë territor do të humbasë, i cili do të aneksohet nga Izraeli,” tha Katz.
Kur faza e parë e armëpushimit përfundoi në fillim të këtij muaji, Izraeli refuzoi negociatat për një fazë të dytë të premtuar, duke kërkuar në vend të saj kthimin e të gjithë pengjeve të mbetura nën një fazë të parë të zgjatur.
Kjo do të kishte nënkuptuar shtyrjen e bisedimeve për një armëpushim të përhershëm dhe u refuzua nga Hamasi si një përpjekje për të rinegociuar marrëveshjen fillestare.