Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa ushtarake në një vend, kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij shteti, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.
Ai thekson rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në Kosovë që në mënyrë SHBA-ja të mbahet e angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale.
“Trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë”, thotë Shea në një intervistë për KosovaPress, duke theksuar se nuk pret që presidenti amerikan të tërheqë trupat nga Evropa. Aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë.
KFOR-i në Kosovë – që është garantuesi i tretë – i ka rreth 4.600 pjesëtarë, prej tyre 600 janë trupa amerikane.
Shea shpjegon se numri i forcave amerikane në Kosovë nuk paraqet barrë për buxhetin e Pentagonit por promovon nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti
“Sigurisht, prania amerikane është e rëndësishme. E dini, NATO, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe evropianët, realizuan fushatën ajrore në vitin 1999. SHBA-ja dhe Evropa punuan së bashku për të sjellë paqe në Bosnje e Hercegovinë pas vitit 1995. Dhe, sigurisht, KFOR-i ka qenë aty tashmë për më shumë se një çerek shekulli. Kështu që ka qenë një histori e madhe suksesi për shkak të këtij partneriteti transatlantik. Kur e konsideroni zhvendosjen e forcave amerikane në mbarë botën, në Korenë e Jugut, në Japoni, në Filipine, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, dhe sigurisht, në Evropë, numri në Kosovë është i vogël. Është shumë, shumë i vogël. Nuk është një barrë e madhe për buxhetin e Pentagonit”, tha ai.
Shea shton se Pentagoni promovon një nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti dhe parandalimi gjithashtu, duke parandaluar agresionin kundër Kosovës.
“Prandaj, shpresoj shumë që ato forca amerikane të mbeten. E dini, ndoshta evropianët do të duhet të paguajnë më shumë për këtë. Nuk e di, siç thashë, sepse Trump është shumë i fokusuar te çështjet financiare. Por trupat, trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa në një vend, ata kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij vendi dhe të luajnë një rol në diplomacinë e rajonit gjithashtu. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të kesh atë praninë e dukshme të SHBA-së për të mbajtur SHBA-në të angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale gjithashtu”, thotë ai
Diskutimi rreth trupave amerikane në Evropë është rritur në fillim të këtij viti pasi zyrtarë të lartë në administratën e re në SHBA u bënë thirrje evropianëve që të rrisin shpenzimet për mbrojtje, me deklarata të tillë që evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në Evropë të zgjasë përgjithmonë.
“Dhe për NATO-n, po, ka disa njerëz, jo shumë në qeveri, por në lëvizjen më të gjerë të Trumpit që janë skeptikë ndaj NATO-s. Por deri tani, presidenti Trump nuk ka bërë thirrje për të braktisur NATO-n. Ai ka qenë kritik ndaj aleatëve që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje, sipas mendimit të tij, dhe ai ka bërë disa komente herë pas here që ndoshta Shtetet e Bashkuara nuk do të mbrojnë ata aleatë që nuk shpenzojnë 2% të PBB-së për mbrojtje. Por sot, 23 nga 32 aleatët shpenzojnë 2% ose më shumë për mbrojtje, dhe ky numër do të rritet. Kështu që mendoj se presidenti Trump do të mbrojë së paku shumicën e aleatëve të NATO-s, sepse shumica e aleatëve të NATO-s do të përmbushin objektivin e shpenzimeve”, u shpreh Shea
Shea ka deklaruar se Marco Rubio, Sekretari i Shtetit, ka qenë i qartë që Shtetet e Bashkuara nuk kanë plane për të tërhequr trupat amerikane nga Evropa.
“Ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në NATO, ka folur në Senat dy javë më parë dhe ka thënë se angazhimi i SHBA-së për NATO-n është i patundur. Trump mund të lëvizë disa trupa, po, ka disa thashetheme që ndoshta ai do të zhvendosë disa trupa nga Gjermania në Poloni. Do të duhet të presim dhe të shohim. Por kjo është në rregull, në kuptimin që ato trupa do të mbrojnë ende kufijtë lindorë të NATO-s. Mendoj se në fund, NATO është një pjesë shumë e rëndësishme e fuqisë globale të Amerikës. Ajo i jep Shteteve të Bashkuara tre të katërtat e të gjithë aleatëve të saj, është në interesin vetjak të Amerikës. Kështu që pres disa turbullira, por nuk pres që presidenti Trump të tërheqë [trupat] nga NATO”, thotë ai
KFOR-i operon në Kosovë prej qershorit të vitit 1999 dhe prezenca e këtij misione ishte rritur pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, më 2023 – kur grupe serbe të financuara nga Beogradi sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Një vit më vonë, në fund të vitit 2024, serbët sulmuan edhe infrastrukturën kritike të Kosovës. Duke folur për këto zhvillime, Shea nuk sheh mundësi për një konflikt të ri por thotë gjithmonë ekziston rreziku i incidenteve.
Andaj sipas tij, është shumë e rëndësishme të KFOR-it të punojë ngushtë me Policinë e Kosovës.
“Nuk e shoh mundësinë për një konflikt të ri. Por gjithmonë ekziston rreziku i disa incidenteve siç ndodhi me Banjskën, sigurisht, disa vite më parë, që ishte një incident i tmerrshëm. Dhe këto incidente, sigurisht, mund të shpërthejnë dhe të dalin jashtë kontrollit. Kjo është e vërtetë. Dhe kemi parë demonstrata dhe trazira në veri. Ka njerëz që, sigurisht, duan të nxisin probleme, kur bëhet fjalë për tabela regjistrimi ose zgjedhje komunale, ose rolin e dinarit në ekonominë e Kosovës, ata shohin një pretekst për të nxitur probleme. Kështu që mendoj se ky është një skenar shumë i mundshëm, fushata dezinformuese, propaganda dhe incidente”, ka thënë Shea
Ai ka shtuar se është e rëndësishme, që KFOR-i të punojë shumë ngushtë me forcat e sigurisë të Kosovës, me policinë e Kosovës, për të pasur informacione të mira për të parashikuar këto incidente, për të monitoruar kufirin shumë me kujdes.
“Kështu që mendoj se nuk do të ketë një konflikt të madh, jo, por fatkeqësisht, provokime, po, dhe për këtë arsye nevojiten të jemi të gatshëm, siç thashë, të parashikojmë, të reagojmë shpejt, dhe të parandalojmë që këto incidente të jenë më tragjike, ose të mos jenë aq tragjike sa mund të ishin, le ta themi kështu. Kam parasysh, Banjska, kur shihni armët e këtyre forcave paramilitare, ishte si një lloj mini ushtrie, e cila mund të kishte shkaktuar humbje masive jete. Dhe kështu është gati një mrekulli që Policia e Kosovës arriti të parandalonte, e dini, që të ndodhte ajo humbje masive jete”, thotë Shea
Se NATO-ja është e gatshme t’i përgjigjet zhvillimeve të sigurisë në Kosovë, e tha edhe Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte gjatë vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar.
Nga politikanët, ai kërkoi fleksibilitet dhe kompromise në dialogun Kosovë-Serbi.
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea thotë se nuk është e qartë se sa do të ketë Kosova prioritet në agjendën e Shtëpisë se Bardhë. Por, ai porosit që Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të mira me administratën Trump.
“Sigurisht, do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë prioriteti do të ketë Kosova në administratën e tanishme. Trump është gjithashtu i angazhuar me Kinën, me Rusinë, me Ukrainën. Dhe gjatë fundjavës, natyrisht, ishin sulmet ajrore amerikane ndaj Jemenit në Lindjen e Mesme. Kështu që nuk është shumë e qartë se sa do të ketë prioritet, jo vetëm Kosova, por edhe Evropa në përgjithësi, në agjendën e Shtëpisë së Bardhë. Por duhet të imagjinoj se Trump nuk do të ketë harruar që ai ishte i interesuar për Kosovën herën e kaluar. Ai pëlqen të shfaqet si një pajtues, njeriu që mund të zgjidhë konflikte të vështira që presidentë të tjerë, njerëz të tjerë nuk mund t’i zgjidhin. Dhe sigurisht, do të duhet të presim dhe të shohim. E kam thënë në intervista të mëparshme që mendoj se është e rëndësishme që Kosova të krijojë marrëdhënie të mira me njerëzit në administratën Trump”, thotë Shea.
Shea thekson se Trump ka ndikim që t’i kthejë në tryezë liderët e Kosovës dhe ata të Serbisë.
“Për t’i bërë ata jo vetëm të bëjnë marrëveshje të reja, por të zbatojnë – natyrisht Serbia duhet të nënshkruajë marrëveshjen kornizë të Ohrit – marrëveshjet që tashmë janë arritur dhe kjo do të na çonte përpara me një hap të madh”.
Shea thotë se integrimi evropian i Kosovës është i domosdoshëm.
“Duhet të jemi të sinqertë, besimi u prish pak në qeverinë e fundit, në administratën e fundit të BE-së, veçanërisht në lidhje me mënyrën se si Prishtina e trajtoi situatën në veri. Disa nga deklaratat që u bënë, disa nga komunikimet që u bënë. Por unë them në çdo intervistë se kjo nuk ka kuptim, sepse miqtë e Kosovës janë në Bruksel. Përgjithësisht, Kosova ka një të ardhme evropiane. Integrimi i saj në Evropë është i domosdoshëm. Kjo është ajo që populli i Kosovës do. Prandaj nuk mund të kesh një grindje me miqtë tuaj. Grindemi me armiqtë, jo me miqtë. Dhe kështu që shpresoj, përsëri, që tani mund të kemi një fillim të ri”, theksoi ai.
Shea ka shtuar se është mirë që Peter Sorensen [emisari i BE-së për dialog] është aty.
“Sigurisht, ekziston një bazë që është krijuar nga Miroslav Lajçak mbi të cilën mund të ndërtojmë. E përmenda marrëveshjen e Ohrit. Ka shumë elemente ku kemi, në parim, marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për të ecur përpara, diçka si transporti, kufijtë, çështjet financiare dhe të tjera. Dhe nëse mund të arrinim një marrëveshje për zbatimin e këtyre gjërave, pa shpikur domosdoshmërisht marrëveshje të reja, do të ishim shumë përpara. Pra, kur keni mundësinë për të bërë një rifillim, shfrytëzojeni”, thotë Shea.
Përveç aspiratave për anëtarësim në Bashkim Evropian, Kosova synon të bëhet edhe pjesë e NATO-s. Ky proces nuk është fare e lehtë derisa ka vende anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Jamie Shea, i cili ishte zëri i NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, shpreson që aleanca të thellojë partneritetin me Kosovën
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ishte në Kosovë javën e kaluar me ambasadorët e NATO-s, Këshillin e Atlantikut të Veriut. Pra, ky është, sigurisht, një simbol politikisht i rëndësishëm i angazhimit të NATO-s për Kosovën, i cili ka zgjatur tani më shumë se një çerek shekulli. Është një mundësi e mirë jo vetëm për të dëgjuar nga KFOR-i, por edhe për të parë progresin e forcave të sigurisë të Kosovës”ka shtuar ish-zëdhënësi i NATO-s.
Ai ka shtuar se si një ish-punonjës i NATO-s, se shpresoj që NATO të thellojë partneritetin me Kosovën, të bëjë më shumë gjëra, më shumë trajnime, më shumë reforma në sektorin e sigurisë, më shumë pajisje, më shumë ndërveprimshmëri, që Forcat e Sigurisë të Kosovës të duken gjithnjë e më shumë si një forcë e NATO-s, të diskutohet për formën e ardhshme të atyre forcave.
“Nuk e di kur Kosova do të bashkohet me NATO-n. Por unë jam një mbështetës i madh i atij drejtimi”, ka shtuar ish-zëdhënësi i NATO-s.
Shea tutje ka theksuar se gjëja kryesore është që të mos humbasim kohë, të mos stagnojmë dhe të sigurohemi që hap pas hapi, Kosova vazhdon të afrohet me NATO-n, duket më shumë si një aleat i NATO-s me kalimin e ditëve.
“Shpresoj që çështja e njohjes, me të cilën vazhdojmë të jetojmë, do të zgjidhet shpejt, si në BE, ashtu edhe në NATO. Dhe shpresoj që të paktën unë të jem ende këtu në këtë botë, shpresoj për një kohë të gjatë, të shoh që kjo të ndodhë. Dhe natyrisht, do të më jepte kënaqësi të jashtëzakonshme personale ta shihja këtë të ndodhte”, thotë ai./KP/