Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, raportohet se po kërkon largimin nga Gjermania dhe po synon rikthimin sensacional në Ligën Premier.
31-vjeçari bëri emër në Ligën Premier gjatë kohës sa ishte pjesë e Tottenhamit, ku në 320 paraqitje për ta arriti të shënojë 213 gola.
Më mirë se Kane në këtë aspekt ka qenë vetëm Alan Shearer, i cili ka realizuar 260 gola në Ligën Premier.
Pavarësisht se duket që ai po e shijon jetën në Gjermani, është raportuar se reprezentuesi anglez do të donte ta bëntë rikthimin shokues në vendlindje.

Siç ka raportuar medium spanjoll El Nacional, personat afër Kane kanë thënë se ai po e konsideron seriozisht mundësinë e rikthimit në Angli për ta mbyllur karrierën.
Është sugjeruar se Liverpooli është favorit për të siguruar shërbimet e ish-lojtarit të Leicester Cityt, me ‘Të Kuqtë’ që po synojnë të shtojnë më shumë opsione në fazën ofanzive.
Raporti gjithashtu citon se destinacioni i preferuar i Kane për momentin është ‘Anfield’
Lojtarët si Darwin Nunez, Diogo Jota dhe Luis Diaz janë lidhur me një largim nga ‘Anfield’ teksa në dyshim mbetet edhe Mohamed Salah i cili do të mbetet pa kontratë në fund të sezonit 2024/2025.
Me vetëm nëntë ndeshje të mbetura në Ligën Premier këtë sezon, Liverpooli ka 12 pikë më shumë se Arsenali në krye të tabelës.