Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me një kërkesë që ta iniciojë në Gjykatën Kushtetuese “pezullimin e vendimit të ZRrE-së” për hapjen e tregut të energjisë elektrike për “një periudhë kohore prej të paktën një viti”.
“Kjo kërkesë vjen me qëllim mbrojtjen e bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit”, thuhet në reagimin e OEK.
Një rritje e tillë, sipas Odës Ekonomike, “do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve”.
Të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori, sipas një kërkese të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kjo masë nënkupton se bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre për energji elektrike.
Sipas bizneseve kjo do të shkaktonte çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve të produkteve.