Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Vlorë me kandidatët për deputetë, e cilësoi reformën në drejtësi si një “lëvizje tektonike në themelin e shtetit shqiptar”, duke theksuar se ajo është meritë ekskluzive e Partisë Socialiste.
“Përtej të gjitha boshllëqeve dhe të metave, kjo periudhë do të shihet si momenti kur u hodh themeli i një ngrehine që nuk ka ekzistuar më parë në Shqipëri, i barazisë para ligjit”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se pa vullnetin dhe këmbënguljen e PS-së, kjo reformë nuk do të ndodhte, pavarësisht mbështetjes nga SHBA dhe BE.
“Pa Partinë Socialiste, pa vizionin, pa kokëfortësinë dhe pa këmbënguljen tonë, kjo nuk ndodhte. Mjaftonte që ne të mos ta kishim këtë shtysë dhe vullnet, nuk kishte Amerikë dhe Evropë që të vihej në lëvizje ky mekanizëm”, tha ai.
Rama gjithashtu kritikoi opozitën, duke pretenduar se ajo kërkon të ndalojë reformën pas zgjedhjeve të 11 majit. “Forcat e tjera thonë: më 11 maj na jepni votën, më 12 maj ne do të shkrijmë SPAK-un. Domethënë do ta kthejmë historinë nga e para”, u shpreh ai.