Sulmet izraelite vrasin të paktën 19 persona në Gazë

by Nexhat

Sulmet ajrore izraelite në mbarë jugun e Rripit të Gazës kanë vrarë të paktën 19 palestinezë gjatë natës midis 22 dhe 23 marsit.

Në mesin e të vrarëve janë edhe një udhëheqës i lartë politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe disa gra dhe fëmijë.

banner

Ushtria izraelite ka urdhëruar njerëzit që të evakuohen nga pjesë të qytetit të Rafahut, që gjendet në kufi me Egjiptin. Ushtria tha se shumë shpejt do të veprojë kundër militantëve në zonën e Tel al-Sultan – që ka pësuar dëme të mëdha për shkak të bombardimeve paraprake – në Rafah. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse urdhri për evakuim sinjalizon një operacion të ri tokësor të Izraelit.

Izraeli kishte nisur një ofensivë të madhe në Rafah majin e vitit të kaluar, kur mori nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit me Egjiptin dhe një pikëkalimi të rëndësishëm.

Ndërkaq, Hamasi tha se Salah Bardawil, anëtari i byrosë të tij politike dhe Parlamentit palestinez, u vra gjatë sulmeve në Mavasi. Edhe gruaja e tij është vrarë gjatë sulmeve.

Bardawil ishte një anëtar i njohur i krahut politik të grupit radikal palestinez, i cili gjatë viteve të fundit ka pasur edhe interviste për media të ndryshme.

Ndërkaq, dy spitale në jug të Gazës thanë se kanë pranuar trupat e 17 palestinezëve të vrarë në sulmet gjatë natës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Izraeli javën e kaluar i dha fund armëpushimit që kishte me Hamasin dhe nisi një valë sulmesh ajrore që kanë lënë të vrarë qindra palestinezë në Gazë.

Armëpushimi i arritur në janar, pezulloi luftimet e ashpra që u nxitën nga sulmi i Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023. Hamasi kishte vrarë afër 1.200 persona dhe kishte rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë 49.747 palestinezë dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Izraeli, ndërkaq, pa ofruar dëshmi ka pretenduar se ka vrarë afër 20.000 militantë. /REL/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy