Analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po e mban qëndrimin e tij të prerë që partia e tij të mbetet në opozitë dhe nuk sheh ndonjë mundësi për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas Mushkolajt, qëndrimi i LDK-së është i “betonuar” dhe nuk ka interes për bashkëpunim me ndonjë parti pas zgjedhjeve.
Ai ka theksuar se një mundësi e vetme mbetet bashkëpunimi mes PDK-së dhe LVV-së, por kjo mbetet ende për t’u parë.
“Se a mund të ekzistojë vullneti të bëhet një qeveri LVV-PDK, mbetete për t’u parë”, ka thënë Mushkolaj në TV Dukagjini.
“Qëndrimi i LDK-së është i qartë. Lumir Abdixhiku e ka bërë të ditur se LDK-ja dëshiron të qëndrojë në opozitë. E vetmja alternativë deri më tani është që Vetëvendosja të formojë qeverinë nëse arrin numrin e nevojshëm të deputetëve”
Ai shtoi se edhe pse PDK-ja fillimisht kishte vija të kuqe ndaj një koalicioni me LVV-në, më vonë Bedri Hamza përmendi disa kufizime, duke e lënë derën hapur për negociata.
Mushkolaj paralajmëroi se një qeveri e mundshme e LVV-së do të ishte e paqëndrueshme dhe me jetë të shkurtër, me gjasë deri në zgjedhjen e presidentes së re.
Ai tha gjithashtu se certifikimi i zgjedhjeve nuk ndryshon dinamikën politike dhe se procesi i formimit të institucioneve mund të zgjasë më shumë se sa pritet.
“Logjikisht, nëse partitë do të kishin qenë të interesuara për të formuar qeverinë sa më shpejt, kjo do të ndodhte menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve. Me situatën aktuale, nuk pres që çështjet të zgjidhen shpejt, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe caktimin e mandatarit”, shtoi ai.