Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka refuzuar idenë e krijimit të një ministri për burrat si përgjigje ndaj problemeve të ngritura nga drama e Netflix, Adolescence.
Në një intervistë për BBC Radio 5 Live, ai pranoi se ekziston një “krizë në maskulinitet”, por tha se një post i ri qeveritar nuk është zgjidhja.
Drama tregon historinë e një djali 13-vjeçar të arrestuar për vrasjen e një vajze dhe trajton ndikimin e kulturës incel te të rinjtë. Ndërsa disa figura publike kanë propozuar një ministër për burrat për të adresuar problemet që përballojnë djemtë sot, Starmer u shpreh më i bindur nga qëndrimi i ish-trajnerit të Anglisë, Gareth Southgate, i cili thekson rëndësinë e modeleve pozitive për të rinjtë.
“Ka një arsye pse ky debat është kaq i ndezur – shumë prindër dhe mësues e kuptojnë se kemi një problem me djemtë që duhet ta adresojmë,” tha Starmer. Megjithatë, ai beson se mbështetja e figurave afër të rinjve, si mësuesit dhe trajnerët sportivë, është më e rëndësishme se krijimi i një posti të ri ministror.
Mbretëria e Bashkuar nuk ka pasur kurrë një ministër për burrat, ndërsa posti i ministres për Gratë u krijua nga Tony Blair për të adresuar çështjet gjinore. Sipas Starmer, veprimet duhet të fokusohen tek promovimi i shembujve pozitivë në komunitet, duke ofruar mbështetje për ata që ndikojnë drejtpërdrejt te të rinjtë.