Investimet e huaja në Shqipëri, kanë arritur një vlerë rekord në fund të 2024-s, 423 milionë euro. Në një vit ky tregues është rritur me 29 mln euro, ndërsa nga tremujori i tretë në të katërt me 12 mln euro.
Edhe pse qeveria ka shprehur shqetësim për origjinën anonime të investitorëve të huaj në Shqipëri, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pjesa më e madhe e investimeve, 96 mln euro, vjen nga burime “konfidenciale”. Në një vit, investimet anonime janë shtuar me 43 mln euro
Hollanda vazhdon të kryesojë investimet e huaja në Shqipëri, me 58 mln euro (+1 mln), ndjekur nga Turqia me 53 mln euro, por me rënie 3 mln euro. Lista vazhdon me Italinë me 52 mln euro investime (-3mln). Një rritje e fortë për 3 mujorin e fundit vërehet në investimet nga Kosova, në 32 mln euro, nga 22 mln që ishte tremujorin e parafundit të vitit.
Pas një rënie në tremujorët e mëhershëm, në fund të 2024-s, sektori imobiliar ka përjetuar një rritje te investimeve nga jashtë me 22 mln euro, duke arritur në vlerën më të latë të raportuar.
81 milionë euro investime i përkasin fushës financiare dhe 31 informacionit e komunikimit.