Dëshmitari Naim Maloku deklaroi të hënën në Hagë se vetëm një urdhër e ka marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe ka pasur pikërisht të bëjë me transferimin e tij në Zonën Operative të Dukagjinit.
“Urdhrin e parë që e kam marrë nga një autoritet në Shtab të Përgjithshëm është urdhri kur kam lëvizë nga Drejtoria Operative në Shtabin e Përgjithshëm në Drejtorinë Operative në Zonën e Dukagjinit. Kjo ka ndodhur në janar të 1999-ës. Pra, urdhri i vetëm që unë e kam marrë. Unë i kam thënë edhe ZPS-së nuk mundeni me i kuptu këto. Është e vështirë”, tha dëshmitari
Po ashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se UÇK-ja ka qenë strukturë e formuar nga fshatrat, pra me sistemin nga poshtë-lart, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ngritë nga poshtë-lartë. Nuk ka pas urdhra. Ka pas votime me gisht, propozime, pajtime që Naim Maloku me qenë zëvendëskomandant. Pajtime që Ramush Haradinaj me qenë komandant zone. Nuk ka pas urdhra. Ka pas ndërtim të strukturës nga lartë-poshtë”, tha Maloku.
Ai tha se ka dashur që UÇK-ja të institucionalizohet në mënyrë që të ketë institucion dhe për një ushtarak si ai më lehtë do të ishte që të kishte urdhra nga lartë dhe të caktohen detyrat sesa ashtu siç ka qenë.
Më pastaj, dëshmitari e riformuloi përgjigjen e tij, duke thënë se as urdhër s’ka qenë transferimi i tij, por është pyetur nëse është i pajtimit të shkojë në Zonën Operative të Dukagjinit.
Dëshmitari theksoi se kur është kyçur në UÇK nuk ka pasur udhëheqës dhe është marrë kryesisht me mundësitë e tij në ushtrimin dhe trajnimin e ushtarëve të rinj dhe pa përvojë.
“Nuk kishim linja raportimi-komandimi. Ishte populli duke u vetorganizu. Ishin tanë vullnetarë. Vullnetarisht vinin nga fshatrat e tjerë me u trajnu dhe pastaj me shku me i marrë armët dhe me e ngritë pastaj shtabin e fshatit”, tha dëshmitari.
Sipas tij, kur është kyçur në UÇK, s’kishte as komandë.
“Ushtria Çlirimtare ngrihej nga poshtë, nga fshatrat. Unë ndihmoja me u organizu shtabet”, tha ai.
Dëshmitari kishte thënë gjithashtu në një intervistë të mëhershme që ai ishte caktuar zëvendëskomandant i Brigadës në Junik nga komandantët e fshatrave në zonën e Dukagjinit.
“Pasi ka ardhë Salih Veseli në fund të majit, janë taku 20 shtabet, 20 komandantët e 20 fshatrave në Dobrosh dhe aty është vendos me u zhvillu bBigada. Aty jam zgjedh unë zëvendëskomandant. Prej fshatrave, prej komandantëve të shtabeve të fshatrave”, tha Maloku.
Ai u pyet se a ishin caktuar këta komandantë prej vetë fshatareve. Një gjë të tillë, e pohoi dëshmitari dhe u pajtua me faktin se e gjithë UÇK-ja ishte organizuar nga poshtë-lartë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës në krejt territoret e Kosovës është krijuar në këtë formë, nga poshtë-lartë”, tha Maloku.
Ndërsa, për zonën e Dukagjinit, ai tha se është krijuar në qershor të 1998-ës pasi u krijua Brigada në Junik.
Dëshmitari deklaroi se në këtë kohë nuk ka pasur Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, konkretisht në kohën kur është krijuar Brigada e Junikut dhe Zona e Dukagjinit.
“Nuk ka pas Shtab të Përgjithshëm. Po iu them se qysh ka shku organizimi i Ushtrisë në krejt Kosovën. Pra, 20 fshatra e formuan Brigadën dhe u zgjodha unë zëvendëskomandant, shkoi Salih Veseli si njeriu më i aftë për ngritje operative të ushtrisë që kishte ardhur deri atëherë në Kosovë, pra deri në atë moment ishte oficeri më i lartë dhe më i zoti që kishte hy në Ushtrinë e Kosovës. Ai shkoi me e formu në të njëjtën mënyrë në Gllogjan për me i ngritë 20 fshatra tonat dhe 40 fshatra rreth Gllogjanit, bëheshin 60 fshatra. Ishte një territor i mjaftueshëm për me u ngritë si Zonë Operative”, tha Maloku.
Në pyetje e prokurorit James Pace, dëshmitari tregoi se pas takimeve me Thaçin më 1998, ka folur edhe një herë në telefon.
“Një herë me telefonin e zotin Jakup Krasniqi. Më kanë thirrë që të shkoj në zyrë dhe jam dëgju me zotin Thaçi”, tha Maloku.
Sipas tij, zyra e Jakup Krasniqit ishte në Shtëpinë e Bardhë në Kleçkë dhe se biseda me Thaçin ka qenë për një intervistë që tani dëshmitari e kishte dhënë për “Kosova Sot”, e cila kishte dalë më 28 nëntor 1998.
Sipas dëshmitarit, Thaçi i kishte thënë që është mirë që të mos prononcohet më për gazeta.
“Më tha që mendoj që është mjaft më me paraqitjet në intervista, në gazeta. Nuk ka pas tjetër ndonjë. Unë i thash që kur të vini këtu mudemi me debatu rreth përmbajtjes dhe arsyet që më kanë shty me dhanë në intervistë të tillë. Mua më takuan rastësisht gazetaret në Dragobil dhe dhashë një intervistë”, u shpreh Maloku.
Biseda, sipas dëshmitarit, ka ndodhur në dhjetor të 1998-ës dhe është realizuar me telefon satelitor. Tha se përmbajtjen e kësaj interviste e kishte diskutuar më herët me Bislim Zyrapin dhe Salih Veselin, të cilët sipas Malokut ishin pajtuar me përmbajtjen e saj.
Një prej komandantëve të Shtabit të Vokshit, dëshmitari tha se ka qenë Bajram Mazrekaj. Tha se në korrik të 1998-ës e ka takuar këtë person.