REL: Bota duket se i ka mbyllur sytë përballë evoluimit të Shtetit Islamik

by Nexhat

Forcat e përkrahura nga Shtetet e Bashkuara patën deklaruar më 2019 se grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) është shkatërruar.

Por, siç kanë treguar vjetët e fundit, atëherë është shënuar vetëm fundi i të ashtuquajturit shtet, që është shtrirë në territoret e Irakut dhe Sirisë – por jo edhe i kërcënimit që vërehet edhe sot.

banner

Grupi ekstremist është duke shpërfaqur qëndrueshmëri dhe po përjeton një ringjallje në pjesë tjera të botës – përderisa po i përforcohen kapacitetet operacionale.

Prej janarit të vitit 2024, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësi për sulme të profilit të lartë nëpër botë, prej Iranit dhe Rusisë, e deri në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.

“IS-i vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë globale dhe është organizata terroriste më vdekjeprurëse në botë”, ka thënë Adrian Shtuni, specialist i sigurisë dhe udhëheqës i Qendrës Shtuni me seli në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Tani organizata mbështetet kryesisht në një rrjet dinamik të bashkëpunëtorëve rajonalë që veprojnë në mënyrë të pavarur”, ka thënë ai.

Në çfarë gjendje është IS-i tani?

Vizioni dhe synimet e IS-it nuk kanë ndryshuar, mirëpo prej humbjeve territoriale më 2019, grupi ekstremist i është nënshtruar një evoluimi radial në strukturë dhe aspektin operacional, kanë thënë analistët.

Një mori degësh të IS-it kanë ngritur kokën nëpër botë në vjetët e fundit, sidomos në rajonet ku ekzistojnë pak kapacitete për të luftuar ekstremizmin.

Colin Clarke, drejtor për politika dhe hulumtime në Grupin Soufan – me bazë në Nju Jork – ka thënë se IS-i është bërë grup për të cilën shuma e pjesëve të tij, janë më të mëdha sesa vetë ai.

“IS-i mund të jetë edhe më sfidues si grup i decentralizuar sesa kur ishte si një model shteti. Kur udhëhiqej si proto-shtet, ishte shënjestër e madhe”, ka thënë Clarke për Radion Evropa e Lirë.

IS-i dhe ndihmësit e tij kanë qenë prezentë nëpër botë në vitin e kaluar përmes sulmeve vdekjeprurëse që kanë kryer.

Në janar të vitit 2024, një sulm i dyfishtë me bombë vetëvrasëse në qytetin iranian Kerman ka vrarë rreth 100 njerëz.

Dy muaj më vonë, katër sulmues kanë shënjestrar sallën e koncerteve Crocus jashtë Moskës, duke vrarë 145 njerëz përmes të shtënave masive, therjeve me thikë me sulmeve tjera.

Në gusht, një sulmues vetëvrasës ka vrarë të paktën 20 njerëz në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.

Disa ditë më vonë, një pjesëtar i IS-it i ka therur disa njerëz në një festival në Solingen të Gjermanisë, duke i vrarë tre njerëz.

Prezenca e grupit është vërejtur edhe në Shtetet e Bashkuara. Më 1 janar, një sulmues i inspiruar nga IS-i e ka përplasur kamionin drejt një turme në Nju Orllins, duke vrarë 14 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Sulmuesi, një veteran i ushtrisë amerikane, i lindur në Teksas, është vrarë nga policia.

Shtuni ka thënë se këto sulme nuk janë dëshmi vetëm për “thirrjet e vazhdueshme të grupit për dhunë terroriste, por edhe për qëndrueshmërinë dhe shtrirjen globale të organizatës”.

IS-i dhe ndihmësit e tij kanë kryer mesatarisht 600 sulme në vit në tre vjetët e fundit, sipas të dhënave të mbledhura nga Dragonfly, qendër për konsulencë në çështjet e sigurisë globale, me seli në Londër.

Ndonëse shifra ka rënë prej mestares së tre vjetëve më parë – 770 sosh – incidentet tani po bëhen më vdekjeprurëse, pasi mesatarja e viktimave për një sulm është rritur 40 për qind, sipas bazës së të dhënave të gjurmuesit Dragonfly.

Të dhënat “nuk nënkuptojnë ringjallje të IS-it dhe ndihmësve të tij në vjetët e fundit, por një shkallë të qëndrueshmërisë”, ka thënë Dragonfly për Radion Evropa e Lirë.

“Megjithatë, shqetësimi është rritur në shtypin ndërkombëtar për shkak të synimeve të IS-it për të rritur numrin e vdekjeve nëpër sulme në botë”, ka thënë grupi.

Ku janë aktivë ekstremistët e IS-it dhe si rekrutohen?

Përmes bashkëpunëtorëve, IS-i ka prezencë të fuqishme dhe angazhohet në disa qendra në Afrikë, Azi dhe Lindje të Mesme.

Njëri prej grupeve që ka dalë të jetë ndër më efektivët është ai i provincës Korasan (ISKP), i cili i ka zgjeruar operacionet përtej Afganistanit dhe është duke tërhequr militantë prej kombeve të Azisë Qendrore, sidomos në Taxhikistan dhe Uzbekistan.

Ndërkohë, Somalia është kthyer në qendër të rëndësishme të grupit për zgjerim në Afrikë. Grupi është duke shfrytëzuar jostabilitetin e Somalisë për t’i forcuar njerëzit dhe rrjetet e veta, duke rekrutuar luftëtarë nga Etiopia, Sudani dhe Tanzania.

Grupi është duke rritur prezencën edhe në rajonin Sahel, ku dega e IS-it për Afrikën Perëndimore vazhdon të jetë organizata terroriste dominuese në pellgun e liqenit të Çadit.

Rekrutimi nuk ndodh vetëm në terren, por edhe online.

“Në hapësirën digjitale, IS-i vazhdon t’i shfrytëzojë platformat e rrjeteve sociale dhe mesazhet e ekriptuara për të shpërndarë ideologjinë, radikalizmin, rekrutimin, mbledhjen e fondeve dhe organizimin e sulmeve”, ka thënë Shtuni.

Ai e ka përmendur një valë sulmesh të inspiruara së fundmi në Evropë, të cilat, sipas tij, flasin për tre trende shqetësuese: që radikalizmi ndodh kryesisht online, me shpejtësi të konsiderueshme dhe që përfshin të rinjtë, përfshirë të miturit.

“Hapësirës online duhet t’i kushtohet shumë rëndësi, sidomos për faktin se operacionet ushtarake janë pakësuar në krahasim me luftën globale ndaj terrorizmit”, ka thënë Lucas Webber, analist i lartë në organizatën Teknologjia lundër Terrorizmit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Si i financon IS-i operacionet e veta?

IS-i gëzon qëndrueshmëri financiare përmes rrjedhave të ndryshme të të hyrave dhe taktikave që përditëson vazhdimisht.

Pavarësisht humbjeve të figurave të larta, baza e tij në Siri dhe Irak ka rezerva në vlerë të 10-20 milionë dollarëve, të cilat plotësohen nga degët rajonale përmes të hyrave që sigurojnë nga kidnapimet, vjedhjet dhe vepra tjera, sipas një raporti të Thesarit amerikan të vitit të kaluar.

Në pikun e vet, kur kalifati i vetëshpallur i grupit kontrollonte territore të konsiderueshme në Irak dhe Siri, të hyrat dominoheshin nga shitjet e naftës. Por, IS-i tani jeton prej aktiviteteve kriminale dhe veprimeve tjera, me qëllim të gjenerimit të fondeve.

Në Afrikë, degët sikurse IS-Somalia, gjenerojnë miliona dollarë nga bizneset dhe sistemet e ndryshme financiare.

Në Azi, dega e IS-it në provincën Korasan ka pasur probleme financiare pasi figurat kryesore i janë arrestuar apo vrarë nëpër Lindje të Mesme. Megjithatë, dega e ka marrë veten duke përdorur astete virtuale për t’i financuar operacionet e jashtme, përfshirë sulmin në sallën Crocus.

Qasja në sistemet globale vazhdon të jetë kritike, pasi IS-i përdor kriptovaluta për t’i transferuar rezervat dhe donacionet. Qëndrueshmëria financiare e grupit është rezultat i evazionit fiskal, krijimit të strehëve të sigurta dhe ruajtjes së rrjeteve globale.

Lufta kundër terrorizmit

Për një luftë efikase kundër terrorizmit duhet bashkëpunim multilateral, duhet që shtetet të shkëmbejnë inteligjencë, t’i përputhin strategjitë dhe t’i forcojnë kapacitetet e sigurisë në rajonet më të cenueshme nga aktivitetet terroriste.

Shmangia e ndonjërit element përbën mundësi për grupet ekstremiste sikurse IS-i, siç ka qenë rasti në Afganistan, pas tërheqjes amerikane, si dhe në Sahel të Afrikës pas largimit të Francës nga rajoni.

Në rajonin Sahel, tërheqja e forcave franceze ka rezultuar me ndryshime në aleancat rajonale.

“Juntat ushtarake të instaluara në Burkina Faso, Niger dhe Mali, pas puçeve të fundit ushtarake, kanë tentuar të mbushin vakumin në përpjekjet kundër-terrorizmit, duke u kthyer nga Rusia, e cila e ka rritur ndjeshëm prezencën në këtë rajon”, ka thënë Shtuni.

Shtetet e Bashkuara ende janë në krye të përpjekjeve kundër-terrorizmit, bashkë me partnerët rajonalë, siç është demonstruar me sulmet e fundit kundër caqeve të IS-it në Irak, Siri dhe Somali.

Këtë muaj, një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja u ka ndihmuar forcave irakiane për të vrarë Abdullah Maki Musleh al-Rifain, të njohur si Abu Khadija. I përshkruar nga Qeveria irakiane si “njëri prej terroristëve më të rrezikshëm në Irak dhe botë”, Abu Khadija ka qenë lider i IS-it në Irak dhe Siri.

Megjithatë, Shtuni ka paralajmëruar se ekzistojnë shqetësime në rritje meqë ndryshimi i prioriteteve të Uashingtonit mund të dëmtojë luftën globale kundër ekstremizmit “pasi po bëhet e qartë se SHBA-ja është duke u fokusuar në çështje të brendshme dhe po e rivlerëson rolin e vet në skenën globale”.

Gjenerali Michael E. Kurilla, udhëheqës i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, ka thënë se mijëra luftëtarë të IS-it që janë në Siri në qendrat që drejtohen nga Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, përbëjnë “figurativisht një ushtri në masë ndalimi” dhe ka paralajmëruar për rreziqet “në rajon dhe përtej” nëse ky numër prej tyre ikin prej aty.

Kurilla ka thënë gjatë një vizite në Siri në muajin janar – një muaj pas rënies së diktatorit sirian, Bashar al-Assad – që ushtria amerikane “vazhdon të jetë e dedikuar për misionin, njerëzit dhe mposhtjen e IS-it, si dhe stabilitetin në rajon dhe përtej”.

Devorah Margolin, hulumtuese e lartë në Institutin e Uashingtonit për Politika për Lindjen e Afërt, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se IS-i është “duke luajtur lojën e pritjes” në Siri.

“Është duke shpresuar që të shfrytëzojë paqartësitë në Sirinë e re, për të destabilizuar dhe për të çuar përpara agjendën e vet”, ka thënë Margolin.

Clarke prej grupit Soufan, ka thënë se mungesa e prezencës amerikane në Afganistan, pas tërheqjes më 2021, ka lënë “hapësirë të madhe të inteligjencës” në luftën kundër IS-it.

“SHBA-ja është detyruar që të varet në ndonjë sinjal të inteligjencës dhe ka shumë pak inteligjencë njerëzore në Afganistan”, ka thënë ai.

Clarke e ka quajtur IS-in “organizatë shumë më të ndryshme sot sesa shtatë vjet më parë kur e ka pasur ende kalifatin”, duke thënë se është “shumë më e varur në operacionet e jashtme dhe në sulme tjera për të gjeneruar publicitet”.

“Ata me qëllim e kanë ndryshuar strategjinë për t’u fokusuar në lansim të sulmeve të profilit të lartë në Perëndim”, ka thënë ai.

“Ata kanë qenë agresivë në planet e tyre dhe janë të vendosur për të kryer sulme spektatolare në Evropë apo SHBA”. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy