Një spirale e ndritshme u shfaq në qiellin e natës thuajse në të gjithë Evropën, dhe ekspertët e Shërbimit Meteorologjik Britanik shpjegojnë se shkaku i këtij fenomeni të pazakontë ka shumë të ngjarë të vijë si pasojë e raketës SpaceX Falcon 9.
Fenomeni u vëzhgua nga Danimarka në Milano dhe spiralja ishte e dukshme për disa minuta para se të zhdukej, raportoi Sky News.
Ky fenomen u pa edhe në Ballkan, mbi Kroacinë, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Slloveninë dhe Serbinë.

Sipas ekspertëve, gazrat e ngrirë të shkarkimit nga shtresat e sipërme të raketës krijojnë forma në atmosferë ndërsa reflektojnë rrezet e diellit, duke i bërë ato të dukshme nga Toka.
Ky efekt ndodh kur karburanti i hedhur nga faza e sipërme e një rakete ngrin menjëherë në lartësi të madhe.
Raketa Falcon 9 u lëshua nga Florida të hënën rreth orës 17:5 si pjesë e një misioni të qeverisë amerikane. /Reporteri