Drejtues politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka deklaruar se ky koalicion është i vetmi që ka dërguar në Kuvend një paketë ligjore për të mbështetur Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Në një intervistë televizive, Basha theksoi se mbështetja e SPAK është thelbësore për të avancuar Shqipërinë drejt integrimit evropian.
Ai tha: “Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) është një investim strategjik euroatlantik, prandaj dhe Koalicioni Euroatlantik ka qenë dhe është në mbështetje me vepra dhe jo me fjalë ndaj SPAK-ut.” Basha shtoi se “Të vetmit që kemi një vit e gjysmë që kemi dërguar paketën për ndihmën ndaj SPAK-ut dhe këta bëjnë sikur nuk e shohin, e nuk e fusin as në rend të ditës ta diskutojnë, e jo më ta votojnë.”
Basha theksoi se “nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë të shkurtër dhe nuk ka rrugë të fshehtë, por rruga e vetme është t’i japim SPAK-ut gjithë fuqinë që e meriton për t’i shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit.”