Në fjalën mbyllëse të takimit me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, kryetari i partisë “Mundësia” Agron Shehaj tha se kjo parti është alternativa që Shqipëria ka kërkuar prej dekadash
“Mundësia”, tha Shehaj, është këtu për t’i thënë qytetarëve të lodhur nga politika se ka një rrugë tjetër, një politikë që bazohet tek puna, tek merita jo te korrupsioni
“Ju e dini, unë vij nga një realitet që nuk ka asnjë lidhje me politikën, ai i sipërmarrjes, i punës dhe i meritës. Ëndërra ime është që cdo shqiptar që ka dëshirën dhe guximin të bëjë të njëjtën gjë që kam bërë unë, tja dalë me punë të ndershme”, tha Shehaj.
Shehaj tha se thellësisht beson cdo shqiptar mund të jetë i suksesshëm, nëse shteti nuk i pengon, nuk i mohon të drejtat e tij.
Sipas tij ky është thelbi i programit të “Mundësisë”.
“Një ekonomi e lirë dhe konkurruese, një administratë publike e vogël, e ndershme dhe efikase. Një shtet që është në shërbim të qytetarëve dhe jo e kundërta. Ne nuk jemi këtu për premtime boshe, por për angazhime konkrete që sjellin rezultate reale. Ky nuk është fjalim por thirrje që cdo qytetar që është lodhur, ju ftoj të na besoni dhe të na bashkoheni sepse ky është momenti ynë historik. Politika nuk duhet të jetë më biznesi privat i disa njerëzve”, tha kreu i “Mundësisë”, Agron Shehaj.
Më tej ai tha se beteja nuk është e lehtë, por asgjë nuk e ndal fuqinë e njerëzve që duan ndryshim.
Duke falënderuar kandidatët e “Mundësisë”, që janë bashkuar në këtë inisiativë, Shehaj tha se ata nuk e ndryshojnë dot të shkuarën, por të ardhmen, duke mbjellë pemën e shpresës së bashku me qytetarët që i besojnë kësaj force të re politike.
“Tani më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një mundësi të re, për një alternativë të re, ka nevojë për njerëz të rinj, për zëra të rinj, frymë krejtësisht të re.
Ka 35 vjet që politika shqiptare dominohet nga figura të njëjta. Kur drejtuesit e sotëm morën pushtetin për herë të parë, ne dëgjonim muzikën me kaseta. Pavarësisht se jetojmë në kohën e inteligjencës artificiale, politika ka mbetur si kasetë e prishur, që përsërit të njëjtat fjalë, të njëjtat premtime, i njëjti zhgënjim”, tha Shehaj.
Kreu i “Mundësisë” tha se qëllimi i kësaj force të re politike nuk është thjesht ndërrimi i pushtetit me një tjetër, por për ti dhënë fund këtij cikli dhe për t’i kthyer pushtetin dhe lirinë qytetarit të thjeshtë.
“ Jam këtu me bindjen se ky realitet mundet dhe duhet të ndryshojë. Kemi vendosur të garojnë jo sepse duam një post, por sepse besojmë se Shqipëria meriton më shumë. Kjo ndodh vetëm nëse i dalim përballë këtij sistemi, duke thënë qartë ka ardhur koha për ndryshim, jo thjesht rrotacion, ndryshimin e munguar në 35 vjet ndaj ne nuk jemi si të tjerët, ne nuk bëjmë pazare. Pavarësisht kush ka qenë në pushtet, kush ka qeverisur, e majta apo e djathta, shqiptarët kanë ikur jashtë vendit”, tha Shehaj