Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në një takim konsultativ me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, si dhe Shoqatat e Biznesit, ku theksoi angazhimet e programit të PD për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe për të tërhequr investime të huaja.
Në fjalën e tij, Berisha renditi disa nga masat kryesore që do të miratohen nëse PD vjen në pushtet, përfshirë taksën e sheshtë prej 10%, e cila sipas tij është provuar si një taksë efektive për rritjen e të ardhurave. “Taksa e sheshtë është taksa më e drejtë, që i jep frymëmarrje ekonomisë. Në vitin 2005 e eksperimentuam këtë dhe jo vetëm që nuk pamë ulje të të ardhurave, por i dyfishuam ato. Ky është një model që do të ndihmojë bizneset dhe qytetarët”, tha Berisha, duke theksuar se ky sistem do të lehtësonte barrën fiskale mbi bizneset e vogla dhe të mesme.
Ai theksoi gjithashtu angazhimin për uljen progresive të detyrimeve për sigurimet shoqërore, duke theksuar se kjo do të ishte një ndihmë e madhe për sektorin privat. “Nuk mund të them që do të realizohet brenda 100 ditëve të para, por kjo është një pjesë e planit tonë afatgjatë për t’i dhënë mundësi zhvillimi ekonomisë”, u shpreh ai.
Berisha njoftoi gjithashtu se PD do të ulë TVSH-në në 15%, me synimin që ta zbresë akoma më tej. “TVSH-ja është një nga taksat që rëndon më shumë bizneset dhe konsumatorët, prandaj ne do ta ulnim në 15%, me synimin për ta reduktuar edhe më poshtë, duke u fokusuar në mbështetje për bizneset dhe qytetarët”, tha ai.
Një nga pikat kryesore të fjalës së Berishës ishte mbështetja për krijimin e zonave të lira ekonomike. “Ne jemi të angazhuar për krijimin e zonave të lira ekonomike, dhe do të bëjmë gjithçka për të nisur me 4 zona të tilla, me synimin që ky numër të rritet me kalimin e kohës. Këto zona do të ofrojnë mundësi të mëdha për bizneset që kërkojnë një ambient të thjeshtë dhe pa taksa të larta”, shtoi Berisha.
Më tej, Berisha theksoi se një masë shumë e rëndësishme do të ishte ndalimi i investimeve offshore. “Do të ndalojmë investimet nga offshore, sepse kjo praktikë është e lidhur me korrupsionin dhe pasuritë që politikanët mund të kenë vjedhur. Nuk mund të lejojmë që politikanët të investojnë në ato që kanë vjedhur, pasi kjo është një praktikë e pamoralshme që dëmton zhvillimin e vendit”, deklaroi më tej.
Berisha gjithashtu foli për uljen e numrit të inspektimeve, një masë që do të ndihmonte për të lehtësuar procedurat administrative për bizneset. “Do të ulim numrin e inspektimeve që rëndojnë mbi bizneset dhe do të thjeshtojmë procedurat administrative. Ky është një nga hapat që do të ndërmarrim për të krijuar një ambient më të favorshëm dhe më të qartë për sektorin privat”, tha kreu i PD.
Në përfundim, Berisha u shpreh se platforma e PD do të kontribuonte në krijimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe mbështetje për tërheqjen e investimeve të huaja. “Ne jemi për një zhvillim të qëndrueshëm, për një sistem fiskal që është i drejtë për të gjithë dhe që mbështet bizneset dhe qytetarët. Ky është angazhimi ynë”, përfundoi Berisha.