Deputetja nga radhët e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ashpër Ligjin për Qeverinë të propozuar dhe miratuar nga ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti.
Përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook, ajo e ka cilësuar këtë ligj si “tmerrësisht të shkruar” dhe të mbushur me kundërthënie ligjore, duke e quajtur atë një shembull të amaterizmit të Qeverisë Kurti.
“Ky ligj, i miratuar nga kjo Qeveri për vetveten, është konfliktuoz, i paqartë dhe më shumë ngatërron sesa që zgjidh – fiks si Qeveria Kurti,” ka deklaruar Kica-Xhelili.
Sipas saj, një nga kundërthëniet më të mëdha të këtij ligji është përplasja mes Nenit 26 dhe Nenit 29. Ajo thekson se Neni 26 përcakton qartë se një anëtar i kabinetit qeveritar duhet të dorëhiqet nëse zgjidhet deputet, ndërsa Neni 29 bën një përshkrim të përgjithshëm të rasteve kur përfundon mandati i qeverisë.
Kica-Xhelili ka vënë theksin në faktin se në këto raste normat specifike, siç është Neni 26, duhet të kenë epërsi ndaj normave të përgjithshme. Megjithatë, sipas saj, Kryeministri Albin Kurti nuk po respekton këtë obligim ligjor.
“Albin Kurti nuk dorëhiqet, edhe sikur ligji të ishte plotësisht i qartë. Ai është shembulli më i mirë i rëndësisë së simbolikave para përmbajtjes,” ka shtuar ajo, duke e akuzuar Kryeministrin për mungesë të respektit ndaj Kushtetutës dhe sundimit të ligjit.
Në fund të reagimit të saj, deputetja ka potencuar se refuzimi i Kurtit për të zbatuar këtë ligj nuk e bën atë më të fortë politikisht, por përkundrazi, sipas saj, e shndërron atë në një shkelës të demokracisë dhe të shtetit ligjor