Berat Lahu njofton për largimin nga VV, ripërsërit akuzat ndaj Gëzim Sveçlës për çështjen e pronave në Badoc

by Nexhat

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Berat Lahu, ka bërë të ditur largimin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, duke akuzuar partinë për keqpërdorime dhe vendime të dëmshme për qytetarët.

Në një deklaratë të publikuar në profilin e tij në Facebook, Lahu ka bërë të ditur se pas 15 vitesh angazhim në këtë subjekt politik, nuk është më pjesë e Vetëvendosjes. Ai kujton se angazhimi i tij në këtë parti ka nisur në vitin 2010 me një ftesë nga lideri Albin Kurti, ndërsa kulmi i kontributit të tij ka qenë suksesi i Vetëvendosjes në Prishtinë në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

banner

Megjithatë, sipas Lahut, që nga viti 2022 ka pasur përplasje të mëdha brenda partisë, kryesisht për shkak të keqmenaxhimit të qendrës së Prishtinës nga Arben Vitia. Ai thotë se mosmbajtja e përgjegjësisë për humbjen e Vetëvendosjes në Prishtinë dhe rikandidimi i Vitias për kryetar të qendrës e kanë bërë atë të largohet nga strukturat.

Ndër akuzat më të rënda të Lahut është çështja e këmbimit të pronave në Badoc, për të cilën ai ka akuzuar drejtpërdrejt Gëzim Sveçlën për keqpërdorim të pozitës dhe lidhje me investitorë privatë. Lahu pretendon se Sveçla ka mundësuar kalimin e këtij vendimi në Kuvendin Komunal, përkundër kundërshtimeve të tij.

“Kam kërkuar nga Kryetari i LVV, Albin Kurti, që të marrë masën e përjashtimit ndaj Gëzim Sveçlës për veprimet e tij korruptive, por në vend të kësaj, më përjashtuan mua,” ka shkruar Lahu në deklaratën e tij.

Ai ka nënvizuar se do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij si asamblist i pavarur, duke u zotuar se do të mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës së vitit 2021 dhe do të luftojë kundër keqpërdorimeve në komunë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy