Analistët kanë diskutuar lidhur mbi mandatin e qeverisë në detyrë dhe dilemat ligjore që kanë lindur pas miratimit të Ligjit për Qeverinë në vitin 2022.
Flamur Hyseni, Melazim Koci, Bujar Dugolli dhe Dorajet Imeri ndanë qëndrimet e tyre mbi këtë çështje, duke theksuar paqartësitë e ligjit dhe ndikimin e tij në funksionimin institucional të shtetit.
Profesori Flamur Hyseni vuri në dukje se Kosova për herë të parë ka një Ligj për Qeverinë, i cili u miratua në vitin 2022. Megjithatë, ai theksoi se disa dispozita të këtij ligji janë të pa objekt dhe kundërthënëse.
“Si mund t’i thuhet një qeverie ose një anëtari të saj të japë dorëheqje kur ai e ka përfunduar mandatin?” pyeti ai, duke shtuar se një nen specifik i ligjit kërkon dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë kur ata zgjidhen deputetë, ndonëse mandati i qeverisë ka përfunduar më 23 mars
Ai ka thënë se ky nen duhet të korigjohet menjëherë nga Legjislatura e nëntë sapo të konstituohet Kuvendi.
”Është një formulim jologjik sepse menjëherë e keni një nen tjetër i cili thotë se mandati i një anëtari të qeverisë përfundon nëse ai është zgjedhur deputet”, shtoi ai.
“Mund të thotë kryeministri jam i interesuar për të dhënë dorëheqje, por për çka, kur unë e kam përfunduar mandatin e rregullt më 23 mars. KQZ është vonuar vetë me certifikimin e rezultateve. Kjo vlen sikur KQZ-ja t’i kishte certifikuar rezultatet më 20 mars, tri ditë që i kanë mbetur kryeministrit do të mund të kishte dhënë dorëheqje”, tha Hyseni, për RTK.
Ndërkohë, Melazim Koci theksoi se ka një ambivalencë juridike në ligj, pasi neni 26 kërkon dorëheqje të anëtarëve të qeverisë, ndërsa neni 29 e përcakton këtë në mënyrë më të përgjithshme. Ai shtoi se edhe Kushtetuta e Kosovës ka formulime të dyfishta për certifikimin dhe mandatimin e deputetëve.
Sipas Hysenit, për sa kohë që qeveria e re nuk është formuar, ajo aktuale konsiderohet si qeveri në dorëheqje, e cila duhet të kryejë funksionet bazike deri në dorëzimin e detyrës. “Si mund t’i kërkohet kryeministrit të largohet nga zyra kur ekziston një nen që e obligon dorëzimin dhe pranimin e detyrës?”, theksoi ai.
Bujar Dugolli e quajti miratimin e këtij ligji një “komplikim të panevojshëm” dhe “amatorizëm” në hartimin e tij. Ai argumentoi se, sipas praktikave të mëparshme, qeveria mbetet në detyrë dhe kryen vetëm funksionet bazike të shtetit deri në zgjedhjen e kabinetit të ri, pa pasur nevojë për dorëheqje të mëtejshme.
“Ne e dimë edhe në praktika kushtetuese se në moment që shpërbëhet parlamenti dhe caktohen zgjedhjet, shpërbëhet parlamenti dhe qeveria realisht rri si qeveri në detyrë por nuk është që ka kompetenca kushtetuese për të miratuar ligje apo për të marrë vendime të rëndësishme. Kujdeset vetëm për ato ekzekutimet e buxhetit të shtetit. Është për t’u habitur se si i komplikojnë gjërat pa pasur nevojë fare. Thjesht këtu ligjvënësi i fundit duhet të pranojë se ka bërë gabim në këtë element sepse në moment që përfundon afati i rregullt kushtetues ne e dimë se ajo është qeveri në detyrë dhe nuk ka nevojë që të japë dorëheqje e të mbetet qeveria thatë”, tha Dugolli.
Nga këndvështrimi politologjik, Dorajet Imeri e cilësoi këtë situatë si një sfidë serioze për stabilitetin institucional të Kosovës. Ai tha se shteti duhet të ketë vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe parashikueshmëri, duke shtuar se ky ligj ka krijuar zbrazësi të mëdha politike dhe institucionale.
“Në kuptimin politologjik është më shumë se nonsens. Kjo është në kuadrin e mohimit të karakterit të shtetit. Shteti ka disa karakteristika, ndër të cilat është edhe aftësia e qeverisjes. Fakti që ti duhesh të heqësh dorë nga aparatura e qeverisjes, ti praktikisht ke hequr dorë nga shteti. Në anën tjetër, shteti përmes sistemit politik i ka disa elemente kyçe. E para është vazhdimësia, që do të thotë se nuk guxon të lejojë asnjë zbraztësi institucionale sepse përgjegjësia e institucioneve të përshkruara në Kushtetutë, është politika e brendshme e jashtme. Pra, ka njerëz që mbajnë përgjegjësi për këtë çështje dhe këta njerëz që janë aty derisa të vjen dikush tjetër duhet të mbesin në nivel të detyrës. E dyta është qëndrueshmëria. Nuk ka mundësi që shteti të abstenojë nga ekzistenca e tij, pra nuk mund të heq dorë shteti nga vetvetja. Dhe e treta është parashikueshmëria. Realisht përmes këtij ligji ne kemi hequr dorë nga parashikueshmëria, në kuptimin se ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me institucionet në të ardhmen”, tha Imeri.
Sipas tij kjo lidhet me rrënimin e sistemit politik të Kosovës. “Ndoshta mund të duket i ashpër pak si klasifikim, por realisht mund të klasifikohet në këtë format sepse krijohen zbraztësi të jashtëzakonshme politike dhe institucionale të paimagjinueshme. Partitë politike për shkak të inateve, klasifikimeve të kundërshtarëve politikë dëshirojnë ta identifikojnë njëri-tjetrin si të dorëhequr, për ta ruajtur këtë si njëlloj fature politike, por nuk kuptojnë se katër vjet qeveria e Kosovës e ka përfunduar mandatin. E keqja është se ne nuk kemi arritur të parashohim se çfarë duhet të bëjmë tutje”, shtoi Imeri