Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Serbia nuk po lejon qasje në “historinë e telefonatave”

by Nexhat

Përkundër mohimit të akuzave dhe gatishmërisë deklarative, Serbia vijon të pengojë hetimin për zbardhjen e sulmit terrorist në Zubin Potok. Dukagjini mësoi se ndërmarrja publike serbe e telefonisë MTS nuk u ka dhënë institucioneve të Kosovës qasje në historinë e telefonatave të të dyshuarve.

Dy ditë pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, teksa mohoi akuzat, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se autoritetet serbe po kryejnë një hetim – por katër muaj pas, shteti fqinj vijon të pengojë hetimin nga Kosova.

banner

Dukagjini mësoi se ndërmarrja shtetërore serbe e telefonisë, MTS nuk u ka dhënë qasje institucioneve të Kosovës në historinë e thirrjeve të të dyshuarve për rastin.

Përfaqësia e MTS, e regjistruar në Kosovë bazuar në marrëveshjen e Brukselit, refuzoi të japë informacionet e kërkuara – duke u thënë institucioneve kosovare duhet t’i kërkojnë ato në kompaninë amë në Beograd.

Teksa përmendi sidat në aspektet kohore për shkak të komunikimit nëpërmjet BE-së, juristi Ardian Bajraktari tha kjo pasqyron nivelin e interesimit për zbardhjen e rastit.

“Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar është refleksion i vullnetit politik të shteteve respektive. Ajo mund të bëhet nëpërmjet parimeve të reciprocitetit apo përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe ratifikuara në kuvendet respektive. Në kuadër të fushës së bashkëpunimit natyrisht që hyn edhe çështja e shkëmbimit të informatave për procese hetimore. Sa i përket fqinjit tonë verior, ky vullnet, kjo gatishmëri dihet që nuk ekziston, çka e vështirëson në masë të konsiderueshme vendosjen e drejtësisë”, ka thënë juristi Ardian Bajraktari.

Pasi tha se shteti fqinj po ashpërsohet sa më shumë që po afrohet fundi i dialogut, politologu Dritëro Arifi theksoi se “BE-ja nuk mund të vazhdojë të jetë neutrale ndaj Kosovës dhe subjektive ndaj Serbisë”.

“Kjo dëshmon edhe njëherë që Serbia e sponsorizon dhe fuqizon shumë terrorizmin kundër Kosovës. Aspekti i dytë, që është edhe më i dhimbshëm është që Bashkimi Evropian me vetëdije po e përkrahë Serbinë, e cila po e sponsorizon terrorizmin. Këto dy gjëra vërtetë duhet të thuhen, sepse kështu nuk mund të zhvillohet një dialog i sinqertë mes dy partnerëve apo mes dy fqinjëve. Dhe pavarësisht sa Kosova tregohet e hapur, kjo e mbytë dialogun”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor.

Për sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike më 29 nëntor të vitit të kaluar, në paraburgim janë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq – nga komuniteti serb.

Një ditë më parë, Bashkimi Evropian i konfirmoi Telegrafit se Serbia nuk është përgjigjur akoma në letrën dërguar më 15 Janar, nëpërmjet Përfaqësuesit Special, lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për ndihmë juridike.

Ndërsa në një përgjigje për Dukagjinin, në fillim të marsit, BE-ja theksoi se presin nga Serbia “që të bashkëpunojë plotësisht për këto kërkesa përmes kanalit për ndihmë të ndërsjellë juridike”.

BE-ja i ka thënë televizionit se përmes ndërmjetësimit të saj, Kosova nga viti 2014 ka dorëzuar rreth 4,470 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike në Serbi dhe ka marrë 1,226 përgjigje

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy