BE vendos masa të reja për hyrjen e mallërave në tregjet Evropiane, Bizneset Kosovare duhet të përshtaten

by engel

Nga data 1 prill të këtij viti, të gjitha bizneset që duan të eksportojnë mallra në Bashkimin Evropian apo të tranzitojnë përmes BE-së, duhet të bëjnë paraprakisht deklarimin përmbledhës të hyrjes (ENS) të mallrave, në të kundërtën pamundësohet tregtimi i tyre.

Nga Dogana e Kosovës thonë se barra kryesore e deklarimit përmbledhës i bie transportuesit, derisa potencojnë se sipas legjislacionit doganor, këtë deklarim mund ta bëjnë edhe importuesi, eksportuesi apo përfaqësuesit e kompanive.

banner

Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) tregojnë se rregullat e reja të BE-së, kanë shkaktuar paqartësi te disa biznese, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Kosovës, theksojnë se ky vendim nuk do të jetë sfidë për bizneset në aspektin financiar, porse do të jetë një angazhim i shtuar.

Shefi i analizës së riskut në Doganën e Kosovës, Visar Zakuti në një prononcim për KosovaPress, thotë se në janar të këtij viti u njoftuan nga Komisioni Evropian rreth këtyre rregullave të reja. Zakuti tregon se Dogana e Kosovës e ka njoftuar komunitetin e biznesit të transportit, si dhe agjentët doganor lidhur me këto masa të reja.

Zakuti bënë të ditur se për të kryer Deklaratën Përmbledhëse të Hyrjes (ENS) në sistemin doganor të vendeve anëtare të BE-së, operatorët ekonomikë duhet të jenë të regjistruar në një nga shtetet anëtare të BE-së dhe të pajisen me numrin e identifikimit dhe regjistrimit të operatorëve ekonomikë (EORI Number).

Ai për KosovaPress tregon se ky numër është i domosdoshëm për të identifikuar bizneset në të gjitha procedurat doganore brenda territorit të Bashkimit Evropian.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), Kushtrim Ahmeti thotë se pavarësisht që këto masa kanë shkaktuar stres te bizneset, janë në dobi të tyre sepse i bëjnë më serioze karshi institucioneve evropiane.

Për KosovaPress, Ahmeti tregon se paqartësitë më të mëdha të bizneseve në këtë drejtim janë sa i përket asaj se kush duhet ta bëjë deklarimin e mallrave.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna thotë se këto masa nuk i dëmtojnë bizneset, porse e lehtësojnë qarkullimin e mallit.

Rafuna shprehet optimist që kjo do të lehtësojë kalimin e mallrave dhe do të zvogëlojë kohën e pritjes në kufijtë e BE-së, duke ulur kështu kostot për kompanitë që eksportojnë. Ai thekson se kërkesa e adresuar ndaj Komisionit Evropian, synon përmirësimin e situatës për maunat që dalin nga Ballkani Perëndimor.

KosovaPress ka provuar të merr më shumë detaje rreth këtyre rregullave nga zëdhënësit e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pasur përgjigje.

Deklarata Përmbledhëse e Hyrjes (ENS) është një dokument elektronik që paraqitet te autoritetet doganore të Bashkimit Evropian, përpara se mallrat të mbërrijnë në territorin e BE-së.

Qëllimi i kësaj deklarate është identifikimi i rreziqeve para mbërritjes së mallrave në BE, parandalimi i kontrabandës dhe trafikimit të mallrave të paligjshme, sigurimi i përputhshmërisë me rregulloret e BE-së, rritja e sigurisë së zinxhirit të furnizimit dhe lehtësimi i tregtisë ndërkombëtare.

Koha e deklarimit varion nga llojet e transportit. Për transportin rrugor dhe atë hekurudhor kërkohet që mallrat të deklarohen të paktën një orë para arritjes në territorin e unionit evropian. Ndërsa, për transportin detar në destinacione të gjata duhet 24 orë përpara të bëhet deklarime. Ndërkaq, për transportin ajror është 4 orë për distanca më të gjata.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy