Policia italiane, gjatë disa operacioneve të kontrolleve sistematike në portin e Anconës, të kryera ndaj pasagjerëve dhe mjeteve që vinin nga Shqipëria me anije, e ka arrestuar një shtetas kosovar, i cili kërkohet nga Kosova për vuajtjen e një dënimi me burgim, raportoi portali Virgilio, duke ndarë njoftimin e policisë lokale,
35-vjeçari, Policia tha se ka “precedentë të shumtë penalë” dhe se ndaj tij ka edhe “një urdhër arresti” për ekstradim.
“Vëmendja e Policisë Kufitare Detare të Anconës u tërhoq nga një pasagjer që, me një sjellje të dyshimtë, përpiqej t’i shmangte kontrollet. Pavarësisht përpjekjes për t’u larguar nga policët, i huaji u ndalua dhe iu nënshtrua një kontrolli më të thelluar, nga i cili u zbulua statusi i tij ligjor. Kontrolli në sistemin Interforze rezultoi pozitiv, por kërkonte verifikime të mëtejshme hetimore, ndaj policët kontaktuan drejtpërdrejt organin që e kishte futur njoftimin, i cili konfirmoi identitetin e personit të kërkuar me atë të personit të pranishëm në kontrollet e Policisë Kufitare. Verifikimet u zgjeruan edhe në mjetin me të cilin udhëtonte, por rezultati ishte negativ”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ai thuhet se kërkohej ndërkombëtarisht për “trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, gjë për të cilën, sipas Policisë italiane, ai “duhet ta vuajë ende një dënim maksimal prej 12 vitesh burgim”, sipas një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës më 6 prill 2021.
“Pasi përfunduan të gjitha procedurat e nevojshme, i huaji u shoqërua nga policët në burgun e Montakutos, në pritje të ekstradimit drejt Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
