Hapësira e madhe që u ofrohet në media klerikëve fetare po konsiderohet e dëmshme për fondamentin shoqëror në Kosovë.
Këtë e tha në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Fehmi Cakolli nga Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante.
Sipas Cakollit, edhe pse mund të tingëllojë skandaloze pasi po e përfshin edhe veten e tij aty, hapësira e madhe që u jepet klerikëve fetarë në media e institucione po e gërryen fondamentin shoqëror dhe juridik të vendit.
“Shoqërisë kosovare sa më shumë që i imponohet, sa më shumë që i ipet hapësirë temës fetare do të jetë e dëmshme për shoqërinë edhe për shtetin. Mund të jetë skandaloze që ta dëgjosh se edhe unë vet jam klerik por edhe për vete po e them se edhe unë jam i ftuar nëpër media të ndryshme për tema të ndryshme ja që po e them edhe kundër vetvetes edhe të tjerëve që shoqërisë kosovare, shtetit të Kosovës nuk i duhet asnjë lloj kleriku gjithë kjo hapësirë mediale, hapësirë kudo ku kanë sepse kjo po e prishë fondamentin e shoqërisë edhe të vet shtetit”.
“Ne kemi qenë shumë ma mirë kur nuk ka pasur kaq shumë media, dhe kur këta persona nuk e kanë pasur këtë hapësirë në politikë e kuvend e institucione tjera. Unë po bëjë sot një apel dhe po diskutoj që sa ma shumë që krijohet hapësirë unë mendoj që jemi duke e gërryer fondamentin shoqëror dhe juridik të vendit tonë “, tha Cakolli