RB Leipzig ka shkarkuar trajnerin Marco Rose.
Klubi konfirmoi gjithashtu se ndihmësit e tij, Alexander Zickler, Marco Kurth, Frank Geideck dhe Frank Aehlig, janë larguar nga detyra.
Vendimi i Leipzig për ta shkarkuar Rose erdhi më pak se 24 orë pas humbjes 1-0 ndaj Borussia Monchengladbach.
48-vjeçari largohet duke e lënë Leipzig në vendin e 6-të në Bundesliga dhe tre pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve.
“Ne kemi besuar për një kohë të gjatë në bashkëpunimin tonë me Marco dhe stafin e tij dhe, deri më tani, kemi provuar gjithçka për ta përmirësuar situatën së bashku,” tha Marcel Schäfer, Drejtori Sportiv i Leipzig.
“Duke parë zhvillimin dhe mungesën e vazhdueshme të rezultateve, jemi të bindur se na nevojitet një impuls i ri për pjesën e mbetur të sezonit për të arritur objektivat tona”.
“Dëshirojmë ta falënderojmë Marco-n dhe ekipin e tij teknik për dy vitet e gjysmë të kaluara, për sukseset që kemi ndarë dhe për angazhimin e tyre ndaj klubit.”
Shkarkimi i Rose shënoi largimin e parë gjatë periudhës së Jurgen Klopp si kreu global i futbollit në Red Bull, një detyrë që ai e mori më 1 janar.
Pa dyshim që ishte një vendim i vështirë për Klopp, duke pasur parasysh se ai e kishte stërvitur Rose për disa vite gjatë kohës së tyre së bashku te Mainz 05
Në fakt, sipas gazetës gjermane Bild, në fillim të marsit Klopp kishte bindur drejtuesit e Leipzig që të vazhdonin me Rose, pasi ekipi pësoi një humbje 2-1 ndaj Mainz më 1 mars.
Humbja kishte bërë që drejtuesit e Leipzig të zhvillonin një takim emergjent për të diskutuar të ardhmen e Rose, por falë ndërhyrjes së Klopp, ai mbeti në detyrë.

Megjithatë, kjo doli të ishte vetëm një shtyrje e shkarkimit të pashmangshëm, pasi Rose largohet pas 125 ndeshjeve në drejtimin e Leipzig.
Nën drejtimin e tij, Leipzig fitoi Kupën e Gjermanisë (DFB-Pokal) për herë të dytë në histori, duke mposhtur Eintracht Frankfurt në qershor 2023.
Ai gjithashtu siguroi dy pjesëmarrje në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, performanca e Leipzig këtë sezon në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve nuk ishte në nivelin e pritur.
Leipzig arriti vetëm një fitore dhe humbi shtatë nga tetë ndeshjet e kësaj faze, duke përfunduar i 32-ti nga 36 skuadra pjesëmarrëse.
E vetmja fitore erdhi kundër Sporting CP në ndeshjen e parafundit të fazës së ligës.
Në Bundesliga, Leipzig ka fituar vetëm dy nga 11 ndeshjet e fundit.
Megjithatë, ata janë ende në garë për Kupën e Gjermanisë dhe do të përballen me VfB Stuttgart në gjysmëfinale.
Leipzig do të njoftojë së shpejti emrin e trajnerit të ri të përkohshëm