Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e 26-të të masakrës në Pastasellë të Rahovecit, si dhe atë në Burim të Malishevës.
Vjosa Osmani ka thënë se Kosova nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për viktimat e këtyre masakrave gjatë luftës së fundit.
“Një çerek shekulli më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen krime të tmerrshme kundër popullsisë civile në Kosovë. Më 1999, në Pastaselë të Rahovecit, 106 burra, gra dhe fëmijë u vranë e u masakruan brutalisht. E njëjta valë dhune vazhdoi në Burim të Malishevës, ku 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan pa mëshirë. Por kujtesa jonë nuk zbehet. Historia nuk mund të harrohet. Me përkushtim dhe vendosmëri, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi”, ka thënë Vjosa Osmani
Sot janë bërë 26 vjet nga Masakra në Pastasellë të Komunës së Rahovecit – një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106-persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth.