Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Podujevë dhe Klinë. Lidhur me këto raste, tre persona u dërguan në mbajtje.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në një rast në Prishtinë një person raportohet se ka kanosur një burrë dhe një grua, kurse gjatë kontrollit në shtëpi iu gjet arma me municion, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Rasti u iniciua si “Armëmbajtje pa leje” dhe “Dhunë në familje”.
“Është raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar i ka kanosur dy viktimat një femër dhe një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij i është gjetur dhe konfiskuar: një armë gjysmë automatike me bajonetë, 26 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm , 13 copë gëzhoja dhe një karikatorë i armës”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse, në Podujevë një person dyshohet se përmes rrjeteve sociale kanosi viktimën.
“Podujevë / 30.03.2025 – 19:40. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar përmes rrjeteve sociale e kishte kanosur viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Në rastin tjetër në Podujevë, thuhet se u arrestua një person pasi kishte sulmuar dy familjarë dhe demoloi orenditë e shtëpisë.
“Podujevë / 31.03.2025 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili pas një mosmarrëveshje dyshohet se i ka sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj kosovarë si dhe kishte demoluar disa orendi shtëpiake. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Në një rast tjetër në Prishtinë, dy persona dyshohen se ushtruan dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje.
“Prishtinë / 31.03.2025 – 15:00. Është raportuar se ndaj viktimës femër kosovare është kryer vepra e lartcekur nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
E në Klinë, një person u arrestua pasi dyahohet se nën ndikimin e alkoolit rrahu një grua.
“Klinë / 31.03.2025 – 22:30. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar nën ndikim të alkoolit e kishte sulmuar viktimën femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.