Qeveria në detyrë e Kosovës ka dënuar “ashpër sulmin me elemente terroriste “ndaj zyrës së Postës së Kosovës në Zveçan e cila u hap javën e kaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, ky sulm është kryer pas mesnatës së sotme tek zyrat e Postës së Kosovës në Zveçan, ku nga persona ende të panjohur janë hedhur dy granata dore, duke shkaktuar dëme materiale në objektin e zyrës postare Zveçan-2.
“Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet e rendit dhe të drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin dhe personat përgjegjës të vihen para drejtësisë, si dhe siguron qytetarët se sulmet kriminale nuk do të mund të zmbrapsin institucionet e Republikës së Kosovës për të ofruar siguri, ligjshmëri dhe shërbime për qytetarët në tërë territorin e Republikës”.
Qeveria tha se Posta e Kosovës ka filluar punën për sanimin e dëmit të shkaktuar me qëllim të rihapjes së kësaj zyre gjatë ditës.
Ndërkohë qytetarët mund t’i kryejnë shërbimet në zyrën e Postës Zveçan-1, që ndodhet në kuadër të objektit të Komunës.