Investigimi i gazetares së televizionit “Ora News”, Alketa Çeku, se shqiptarët kanë konsumuar mish pule të infektuar me bakterin e salmonelës ka alarmuar Ministrinë e Bujqësisë, AKU dhe institucionet e tyre të varësisë.
Ky skandal u tentua të kalohej në heshtje, por publikimi i flet-analizave nga “Ora News” ku u pa qartë se mishi i pulës ishte infektuar me salmonelë vuri në lëvizje institucionet.
Por për të kuptuar më shumë mbi këtë kontaminim të këtij produkti ushqimor e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte Ana Vuksani, eksperte ushqimi.
“Salmonela është një infeksion bakterial dhe janë rreth 2000 lloje të saj.
Salmonela e gjetur tek mishi i pulës është një ndër më të rrezikshmit dhe zakonisht njerëzit i ngatërrojnë efektet me pjesën virale, dhe nuk ke si ta kuptosh se je infektuar me salmonelë pasi duhen bërë analizat bakteriale.
Nëse ti ke një raportim se një person del i infektuar me salmonelë janë 30 të tjerë të infektuar e të pa raportuar, pra shkalla e përhapjes së këtij patogjeni është goxha e madhe kur gjen terren.
Salmonela gjendet kudo deri tek uji që përdorim qoftë për të larë enët apo perimet, kur bëhen gati për të gatuar”, u shpreh Vuksani.
Në vijim ajo theksoi se për rastin konkret përgjigja e laboratorit është tejet e vonuar.
Kujtojmë se çështja tashmë i ka kaluar për hetim prokurorisë së Tiranës. Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka pranuar se qytetarët shqiptarë kanë konsumuar mish te infektuar me salmonelë, por nuk mori asnjë përgjegjësi për këtë skandal.