Drejtori i Termokosit z. Fisnik Osmani ka njoftuar në profilin personal në facebook për një aktivitet të rëndësishëm që ka ndodhur sot në Termokos me viziten e përfaqësuesit të përhershëm të UNDPsë, Nuno Queirós.
Vizita u fokusua në mbështetjen e mundshme të UNDP-së për përpjekjet e Termokos në drejtim të rritjes së efiçiencës energjetike, digjitalizimit të shërbimeve, zvogëlimit të emetimeve të karbonit dhe promovimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë por edhe përgjegjësisë më të lartë karshi klientëve në Prishtinë.
Termokos po punon pandërprerë, për të qenë një nga aktorët kryesorë të ekonomisë së gjelbër në Kosovës. Padyshim me partnerë si UNDP, ndërmarrja është më afër vizionit për një sistem ngrohjeje më të pastër, më efikas dhe më të qëndrueshëm për qytetarët e Prishtinës.
Z. Queirós, vlerësoi përpjekjet e Termokos në modernizimin e sistemit të ngrohjes, digjitalizimin e shërbimeve dhe u zotua për mbështetje të mëtejshme në projektet që kontribuojnë në agjendën e gjelbër të Kosovës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit strategjik në mes UNDP dhe Termokos, në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për të gjithë.

