Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka dhënë mbështetjen e saj për protestën e thirrur më 5 prill për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë.
Që nga ditët e para kur është përmendur rritja e çmimit të energjisë, DhTIK ka ngritur alarmin duke u kërkuar institucioneve që të veprojnë për ta parandaluar një veprim të tillë, .
“Bizneset dhe qytetarët nuk duhet të dënohen për shkak të dështimit të institucioneve që të sjellin investime në prodhim të energjisë apo shkaku i dështimit të mirëmbajtjes më kohë të stabilimenteve energjetike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Dhomës së Tregtisë.
DhTIK po ashtu ka ritheksuar se rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë do të ketë ndikim negativ zinxhirë, pra do të ulë të hyrat e biznesit e për pasojë do ulen edhe të hyrat e buxhetit, do rrezikohen vendet e punës, si dhe bizneset pa dashjen e tyre, do të detyrohen të rrisin çmimin e produkteve, duke u vënë në situatë të vështirë karshi konkurrencës nga jashtë.
“Në takimet e shumta që kemi mbajtur me bizneset tona anëtare, shumë prej tyre kanë plane për të investuar apo rritur kapacitetin e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, por se këtë po e pamundësojnë ligjet dhe rregulloret e ZRRE-së. Një pengesë e madhe është bërë edhe Ligji për Pronën Publike, i cili ka pamundësuar rritjen e investimeve në prodhim të energjisë dhe sjelljes së investimeve të huaja”.
“Ne po ashtu jemi kundër propozimit të Ministrisë së Ekonomisë për shtimin e numrit të brezave (blloqeve) të konsumit për mbi 800 kWh. Me këtë rast DhTIK fton të gjitha bizneset që t’i bashkohen protestës”, shton kjo Dhomë.

