Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur detaje rreth një operacioni të përbashkët të realizuar nga organet e sigurisë së Kosovës më datat 5 dhe 6 prill 2025, ku janë ndaluar gjithsej 16 persona.
Të ndaluarit udhëtonin me katër automjete me targa të qytetit të Kragujevcit të Serbisë, ndërsa në mesin e tyre ndodheshin edhe katër oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, ndërsa janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes së tyre me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe dhe me anëtarë të grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë.
Grupi i parë prej katër personash u ndalua në qytetin e Gjakovës. Gjatë kontrollit të automjetit, organet e sigurisë kanë sekuestruar: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, këta persona janë ndaluar për 48 orë.
Grupi i dytë, i përbërë nga 12 persona, u ndalua në Prizren, ku po strehoheshin në ambientet e Seminarit Ortodoks të Bogosllavisë. Në këtë grup ndodheshin gjithashtu dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.
Hetimet paraprake kanë zbuluar lidhje të afërta të ndaluarve me individë të përfshirë në veprimtari të mëhershme terroriste. Një nga të ndaluarit, një zyrtar policor serb me gradë togeri, rezulton të ketë lidhje familjare me Nemanja Radivojevic, i njohur me nofkën “Gandi”, anëtar i grupit terrorist të Banjskës. Ky i fundit është i afërt me Vladimir Radivojevic, “Mami”, i cili dyshohet si përgjegjës për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Një tjetër zyrtar ushtarak i ndaluar, me gradën e kapitenit të klasit të parë, është i lidhur me ish-gjeneralin e inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i përmendur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe në vitin 1999.
Autoritetet kanë shprehur shqetësim për faktin që të ndaluarit ishin strehuar në një institucion fetar, duke paralajmëruar për mundësinë e shfrytëzimit të objekteve të tilla për të fshehur qëllimet e tyre apo për të nxitur tensione ndëretnike dhe fetare në vend.
Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme. Qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë për garantimin e rendit dhe qetësisë publike në vend