Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit tridhjete ditë të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datën 5 prill 2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sëpatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, njofton Gjykata.
Në njoftim thuhet se “Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes”.
Si përfundim, të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 5 prill 2025 dhe do të zgjasë deri më 5 maj 2025.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.