Në Gjykatën Themelore në Gjakovë është mbajtur seanca dëgjimore për katër të dyshuar serbë, të cilët janë ndaluar pas dyshimeve për posedim armësh. Prokurorja Venera Shala kërkoi caktimn e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Në fillim të seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pas ndalimit të katër të dyshuarve serbë, prokurorja Venera Shala ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Shala e ka kërkuar masën e paraburgimit me arsyetimin se të pandehurit mund të arratisen, pasi që të gjithë janë shtetas të Serbisë.
“Me çka do të pengohej zhvillimi normal dhe i papenguar i procedurës penale, andaj caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm. Të gjitha këto të dhëna na vërtetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit nuk është hera e parë që kanë qenë në Kosovë dhe lënia e tyre në liri paraqet rrezik permanent që të përsëritin veprën penale me pasoja edhe më të rënda. Prokurori i shtetit vlerëson se kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve gjen mbështetje edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Venera Shala, prokurore.
Ndërsa avokatët mbrojtës të të pandehurve e kanë kundërshtuar kërkesën e prokurores me arsyetimin se, sipas tyre, nuk ka bazë ligjore për ekzistimin e kësaj vepre penale, posedimi i armëve. Teki Bokshi, njëri nga avokatët mbrojtës, tha se gjësendet e gjetura në veturë nuk mund të trajtohen si armë. Sipas tij, prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë bindëse për këtë. Bokshi ka thënë para trupit gjykues se e vetmja periudhë kur është shqiptuar dënimi me burgim për armëmbajtje pa leje ka qenë ajo e pushtetit serb, për të cilën tha se nuk do të kthehet më.
Ndërsa Hasan Hoti, mbrojtës i njërit prej të pandehurve, i ka kërkuar gjykatës refuzimin e kërkesës së prokurorisë, duke theksuar se në vendin tonë ka rregull, ka procedurë dhe ka ligj.
Gjatë seancës u bë e ditur se dy nga të pandehurit punojnë në organet serbe të sigurisë. Pavle Kragoviq ka thënë se punon inspektor i Policisë në Kragujevc të Serbisë. Ndërsa Milovan Steviq deklaroi se është doktor, stomatolog, në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë në Beograd. Branko Rakiq, i cili deklaroi se është teknik i komunikacionit, dhe Nemanja Vamoviq, i cili tha se është inxhinier i pylltarisë.
Rakiq dhe Kragoviq janë me dy shtetësi, ndërsa Steviq dhe Vamoviq janë vetëm shtetas të Serbisë.
Pas kërkesës së prokurorisë dhe dëgjimit të të pandehurve serbë dhe avokatëve të tyre, trupi gjykues është larguar nga salla për të marrë vendimin lidhur me këtë rast./rtk