Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Aleancës për dialogun Kosovë-Serbi, duke vënë theks të veçantë në rëndësinë e angazhimit politik të palëve për të dalë nga ngërçi aktual.
Ajo ka vlerësuar se rruga e Kosovës për t’u bërë pjesë e programit të Aleancës, Partneritetit për Paqe, kërkon kompromise të vështira.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Shekerinska përmendi se NATO-ja mbështet plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe e ka inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin për qasje konstruktive, duke theksuar se është në duar të liderëve të dy shteteve që të bëjnë përparim dhe të kalojnë nga ngërçi aktual.
“Sikurse e keni përmendur, NATO-ja ka qenë aktive në rajon prej goxha shumë kohësh, kemi qenë të pranishëm nëpërmjet KFOR-it për një periudhë të gjatë. Ky është misioni ynë më i gjatë dhe më i fortë në këtë moment dhe kjo flet shumë qartë për përkushtimin tonë, flet shumë qartë njashtu për qëndrimet e aleatëve se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për Aleancën. Nuk është e lehtë t’i bindësh aleatët të dërgojnë kaq shumë trupa dhe t’i mbajnë aty për kaq kohë të gjatë. Por ne të gjithë kemi thënë përherë se misioni i KFOR-it është i qartë, ta ruajë sigurinë dhe t’i mbajë njerëzit në Kosovë të sigurt. Kjo nuk e zgjidh problemin, andaj synimi i KFOR-it është që të krijojë, në një mënyrë, siguri ushtarake me qëllim që të mbështetet dialogu i udhëhequr nga BE-ja. Ne u kemi bërë thirrje si Beogradit ashtu edhe Prishtinës për qasje konstruktive për sa i përket dialogut, prandaj kjo është arsyeja përse ne e mbështesim plotësisht përfaqësuesin e posaçëm të ri për këtë dialog të udhëhequr nga BE-ja, z. Sorensen, dhe kjo ka qenë arsyeja përse e kam takuar vetëm pak kohë më parë. Kjo mbase është çështja, ku bashkëpunimi i NATO-s dhe i BE-së është më i dukshëm dhe më i nevojshëm.”, tha ajo në një intervistë për KTV-në.
“Nuk ka zgjidhje magjike,” tha Shekerinska.
“Duhet të ketë vullnet politik si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për përparim. E kemi vlerësuar progresin që është arritur në të shkuarën, por besojmë se tani duhet të ecim përpara dhe kjo është ajo që ne dëgjojmë se është pritja nga ana e BE-së. Përfaqësuesja e lartë porsa ka njoftuar për vizitën e saj në rajon dhe ne besojmë se kjo do t’i japë shtysë dialogut politik.”, tha ajo.