Gërvalla godet UNMIK’un në Këshill të Sigurimit: Po e dëmton Kosovën dhe kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara

by Nexhat

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka goditur UNMIK-un duke e cilësuar se “po dëmton Kosovën dhe kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara”.

Në njoftimin e ministrisë, dërguar mediave, thuhet se Gërvalla ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i trajtojë seriozisht veprimet destabilizuese të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, “ta ndalojë logjikën e mohimit e relativizimit të krimeve të rënda që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan”.

banner

“Duke folur lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, Ministrja Gërvalla deklaroi se ‘ky nuk ishte thjesht një incident i izoluar’, por një akt i planifikuar agresioni me bazë në Serbi dhe i kryer nga grupe paramilitare të udhëhequra nga terroristi Milan Radoiçiq, një person i lidhur ngushtë me elitën politike serbe. “Ta quash këtë një ‘incident serioz sigurie’, siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte,” u shpreh Ministrja Gërvalla. Tutje, ministrja vuri theksin edhe mbi sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, një sulm ky që kishte për objektiv infrastrukturën kritike civile dhe që rrezikoi jetën e mijëra qytetarëve. Ministrja Gërvalla deklaroi se Serbia ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime, përkundër deklarimeve të saj publike”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Gjithashtu, në këtë njoftim thuhet se “Ministrja e ka kritikuar raportimin e UNMIK-ut, duke e cilësuar të njëjtin si të njëanshëm dhe në shpërputhje me realitetin në terren. “UNMIK-u nuk po e dëmton më Kosovën, po e dëmton kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe nga agjencitë e tjera të OKB-së që janë partnere të vërteta, UNMIK-u është kthyer në një pengesë për të vërtetën,” ka deklaruar ajo. Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për drejtësi, Ministrja Gërvalla ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë autoriteteve kosovare Milan Radoiçiqin dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist, dhe të ndalet mbështetja shtetërore për strukturat kriminale në Kosovë. Në përmbyllje, ministrja ka deklaruar se Republika e Kosovës është një demokraci e konsoliduar, që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe është model për stabilitet në rajon. Megjithatë, ka shtuar ajo, pa drejtësi dhe pa emërtim të saktë të krimeve, paqja do të mbetet e brishtë”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy