Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se politika “s’është as dashuri dhe as urrejtje” kur u pyet mbi gjuhën që partia e tij do të përdorë me partitë opozitare pas deklaratës së kryetarit Albin Kurti që i e quajti opozitën “hajvanat” natën kur Vetëvendosje u shpall partia fituese.
“Gjuhën që do ta përdorim do të jetë gjuhë e bashkëpunimit e partneritetit, ju mund t’i merrni me mend tensionet dhe polarizimet e mëdha që ndodhin gjatë fushatës, por në fund të fundit të gjithë zgjohemi një mëngjes dhe e shohim cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen dhe dashurinë. S’është as urrejtje as dashuri politika”, tha Konjufca pas takimit me partitë politike që pati sot në Kuvend.
Duke tentuar ta zbusë deklaratën e shefit të tij, Konjufca tha më pas se edhe ndaj tij ka pasë shprehje të rënda nga opozita, por tha se për këtë nuk mban ndonjë mëri.
“Shprehje kemi dëgjuar shumë të rënda nga ana e opozitës edhe për vetë mua në Kuvend. Mua më kanë quajtur me lloj-lloj shprehje që as s’dua t’i përmend këtu, por mua nuk më ka mbetur hatri prej atyre shprehjeve dhe ia zgjati dorën e bashkëpunimit secilit me të cilin që mund të bëjmë diçka bashkë për Kosovën”.
Ai foli më pas edhe për kryetarin e ardhshëm të Kuvendit, duke thënë se Vetëvendosje ende s’e ka vendosur meqë duhet të dakordohet një marrëveshje koalicioni.
“Vetëvendosje ende s’e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit. Kjo me siguri edhe për arsye se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës që do shndërrohet pastaj në qeveri i nënshtrohen disa principeve dhe njëra prej tyre është themelimi i qeverisë. Kuvendi kurrë nuk është qëllim në vetvete, ai themelohet për zgjedhjen e institucioneve tjera dhe më i rëndësishmi është ekzekutivi”.
Ai tha se “duke u bërë bashkë të lidhen forcat dhe të vijë deri te një doktrinë e përbashkët e përfaqësimit të interesave shtetërore”.