Me rastin e 26-vjetorit të betejës heroike të Koshares, ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni, ka folur për organizimin dhe sfidat që paraprinë njërën nga përballjet më të rëndësishme të luftës për çlirim.
Quni theksoi se, ndonëse gjatë luftës kanë ekzistuar akuza dhe tensione ideologjike, brigada që ai komandonte nuk ka pasur kurrë luhatje ndaj autoritetit të komandantit suprem, presidentit Ibrahim Rugova.
“Përkundër akuzave që kanë ekzistuar edhe gjatë luftës, kur ushtarët duhet të motivohen dhe të kenë besim në njëri-tjetrin, ne si brigadë asnjëherë nuk kemi pasur luhatje ndaj autoritetit të komandantit suprem, presidentit Ibrahim Rugova”, deklaroi ai në Debat Plus.
Sipas Qunit, përgatitja për betejën ka nisur me mobilizim të madh dhe zgjedhje strategjike të territorit.
“Nuk kishim numër të mjaftueshëm luftëtarësh, ndaj zgjodhëm një territor malor, ku teknika e armikut nuk kishte mundësi të depërtonte. Në këtë mënyrë minimizuam disavantazhet tona dhe krijuam epërsi,” u shpreh ai
Ai shtoi se stërvitjet filluan nga ato bazike, me plane të qarta dhe organizim të rreptë.
Në lidhje me ideatorin e aksionit, Quni tha se është e vështirë të lidhet me vetëm një emër, por përmendi qendrën stërvitore ushtarake në Papaj, ku që nga shtatori i vitit 1998 ishin të dislokuara tri njësi me zinxhirë të qartë komandues.
“Njëra njësi komandohej nga komandanti Rrustem Berisha, ndërsa unë udhëhiqja batalionin diverzanto-vëzhgues. Çdo mbrëmje në orën 20:00 bënim analizë të ditës dhe caktonim detyrat për të nesërmen”, shtoi Quni