Ministri i për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ishte këtë të mërkurë në Euronews Albania ku ka folur rreth rëndësisë së hapjes së konsullatës shqiptare në Ulqin.
Ai tha se hapja e konsullatës ka qenë një ëndërr e shqiptarëve prej shumë vitesh që më në fund është realizuar.
“Bëhet fjalë për një ëndërr të të gjithë atyre shqiptarëve që flamuri i shqiptarëve të ngrihej dinjitoz që nga Lidhja e Prizrenit. Që nga 7 prilli është bërë inaugurimi zyrtar të hapjes së konsullatës së përgjithshme të Republikës së Shqipërisë. Ulqini është kryeqendra e shqiptarëve në Malin e Zi, është një nga qytetet tona më të rëndësishme dhe është ura lidhëse mes dy shteteve tona dhe mes rrugëtimit tonë të përbashkët pa dyshim drejt Bashkimit Europian”,-u shpreh ministri Hasani
I pyetur se përse u vonua kaq shumë, ministri tha:
“Vonesat kanë arsye të shumta, por nuk ka pasur probleme nga palët, kanë qenë më shumë pjesë teknike dhe burokratike. E rëndësishme është që jemi aty dhe do të shtojmë në maksimum angazhimin. Ne po i japim Ulqinit një dimension të ri diplomatik”, tha Hasani.