Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për mediat në lidhje me çeljen e fushatës elektorale të PD-së për zgjedhjet e ardhshme.
Berisha e ka përshkruar fushatën e PD-së si një ngjarje të ngjashme me një dasmë, ku të gjithë presin momentin kur çifti paraqitet me kostum dhe fustan, pavarësisht se ata janë parë shpesh. “Të gjitha surprizat janë nesër. Çifti dashurohet muaj apo vite, por ka një ditë që paraqitet krejt ndryshe dhe të gjithë pavarësisht se i kanë parë mijëra herë, vrapojnë ta shohin atë ditë, me kostumin e nusërisë”, tha Berisha, duke përdorur këtë batutë për të nënvizuar se nesër do të zbulohen të gjitha detajet.
Në vijim, Berisha ka bërë një pasqyrë të asaj që ai e quan “krizë të thellë demokratike” në Shqipëri. Berisha ka vënë në dukje se ndërhyrjet në proceset zgjedhore dhe manipulimi i votës janë disa nga mënyrat që Rama po përdor për të përmbushur ambiciet e tij, duke akuzuar gjithashtu se Shqipëria është vendi i vetëm në Europë ku liderët e opozitës ndodhen nën hetim ose në burg.
“Dje, pasaporta europiane e Ramës u gris,” deklaroi Berisha, duke nënkuptuar një largim të mëtejshëm të vendit nga vlerat perëndimore.
“Burgjet në Shqipëri janë të mbushur me njerëz, që keqtrajtohen. 1/3 e qytetarëve janë të pafajshëm. Rama bllokon Komisionet Hetimore i tmerruar. Ata që ndërhyjnë në zgjedhje po vëzhgohen, do të ndëshkohen. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, që ka në hetim ose në burg liderët e opozitës. Dje pasaporta europiane e Ramës u gris. Përpiqet që të fitojë me censurë“, shtoi ai.
Berisha gjithashtu ka komentuar seanca të fundit në Parlamentin Evropian, ku u denoncua nga opozita “industria e blerjes së votës” që sipas tij kontrollohet nga Rama. Ai ka akuzuar qeverinë e Ramës për përfshirjen e baronëve të drogës në manipualimin e zgjedhjeve dhe ka theksuar se ky është një krim i organizuar që mbështet mandatet e qeverisë.
“Shprehëm shqetësimin e madh për industrinë e blerjes së votës nga Rama, u denoncua krimi i organizuar në krah të Ramës, manipulimi i madh me lista dhe angazhimi i baronëve të drogës për të manipuluar vullnetin e shqiptarëve”, tha Berisha.