Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se memoriali “Bllaca 99” është dëshmi e gjallë e kujtesës kolektive dhe të mësimit se sa e shtrenjtë është liria.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai tutje shprehet se barbaria serbe nuk u ndal vetëm me masakra, por grabiti, dogji e shkatërroi çdo gjë që u përkiste shqiptarëve.
“Liria që e gëzojmë sot ka një çmim të lartë, atë të vuajtjeve dhe sakrificave të panumërta që i kemi kaluar si popull ndër shekuj. Terrori sistematik i ushtruar nga shteti serb dhe mungesa e kushteve elementare për jetesë detyruan mijëra shqiptarë të braktisin trojet e veta. Shumë prej tyre nuk patën fatin ta përjetojnë ditën e lirisë, ndërsa të gjallët, në Kosovën e lirë, u detyruan të nisin gjithçka nga e para. Barbaria serbe nuk u ndal vetëm me masakra, por grabiti, dogji e shkatërroi çdo gjë që u përkiste shqiptarëve. Memoriali “Bllaca 99” është dëshmi e gjallë e kujtesës kolektive dhe të mësimit se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e dhimbshme dhe sa shumë sakrifica ka rruga deri te kjo liri”, ka shkruar Haradinaj.

