Eugen Cakolli nga KDI, ka komentuar çështjen e shtrenjtimit të rrymës duke thënë se nëse ky vendim do të ishte i gjykatave ‘‘zor se do të kishte mbetur ndonjë zyrtar i pushtetit pa reaguar’’,
Në postimin e tij, Cakolli ka kritikuar pushtetin se për rritjen e çmimit të rrymës, për mos reagim politik e as për qëndrim publik në mbrojtje të interesit qytetarë, gjë e cila, siç ka thënë Cakolli është qasje që pushteti i VV-së e ka ndjekur ‘‘sa herë që interesi publik ka rënë ndesh me interesa private’’.
Postimi:
Po të bëhej fjalë për vendime të gjykatave (si pushtet i ndarë), zor se do të kishte mbetur ndonjë zyrtar i pushtetit pa reaguar. Do të kishim parë postime, akuza publike, deklarata të ashpra, e mbase edhe grafite nëpër sheshet e Prishtinës.
Por kur vendimi për shtrenjtimin e energjisë merret nga bordi i ZRrE-së – i përbërë nga anëtarë të emëruar pikërisht nga kjo shumicë parlamentare, dhe që prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve – mjaftohen me disa “komente”. Sepse, papritmas ZRrE-ja na qenka rregullator i “pavarur”.
Asnjë reagim politik kundër shtrenjtimit. Asnjë qëndrim publik në mbrojtje të interesit qytetar. Vetëm futje e veshëve në lesh. Një qasje që ky pushtet e ka ndjekur sa herë që interesi publik ka rënë ndesh me interesa private.
E gjithë kjo, me shpresën se pakënaqësia qytetare nuk do t’u përkthehet në rënie të përqindjeve në sondazhe.