Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16%.
Në një deklaratë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë, KMDLNj i quan zyrtarët e ZRrE-së “kusarë” dhe “strukturë të organizuar kriminale”, duke i akuzuar për mashtrim, varfërim të qytetarëve dhe shkelje të të drejtave ekonomike e sociale të popullit.
“Përkundër kundërshtimit plebishitar të qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë, kusarët e ZRrE-së sot morën vendim që faturat të jenë 16% më të larta. Kjo është një goditje direkte ndaj qytetarëve nga një qeveri në detyrë dhe një bord i politizuar”, thuhet në reagim.
KMDLNj propozon organizimin e protestave të përditshme në të gjitha qytetet e Kosovës dhe kërkon shkarkimin dhe hetimin penal të ZRrE-së dhe Ministrisë përkatëse.
Po ashtu, kërkohet kompensim për paratë e mbledhura padrejtësisht gjatë 15 viteve të fundit dhe largimi i diskriminimit tarifor, përfshirë edhe taksën fikse prej 2 eurosh për mbi 500 mijë njëhësorë.
“Qytetarët e Kosovës nuk duhet ta përjashtojnë as grevën e urisë në mbrojtje të mbijetesës së tyre kundër keqbërësve të cilësdo qeveri dhe instrumentit kriminal të saj – ZRrE-së”, thuhet më tej në njoftim.
Këshilli fton të gjitha sindikatat, kategoritë sociale, veteranët e luftës, studentët dhe të gjitha shtresat e shoqërisë që të bashkohen në protesta dhe të kërkojnë rritje të pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale.
“Qytetarët nuk duhet të lejojnë që kërkesat e tyre të drejta të shpërfillen brutalisht nga ata që paguhen me paga të papërballueshme për shumicën e popullit”, përfundon deklarata