Kurti: Forcimi i ushtrisë dhe mbrojtja e Kosovës, obligim nga sakrifica e dëshmorëve

by Nexhat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se forcimi i ushtrisë dhe mbrojtja e territorit të vendit janë obligime që burojnë nga sakrifica e dëshmorëve të kombit.

Këtë deklaratë ai e bëri të dielën gjatë homazheve në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe dhe në vendin e rënies së dëshmorëve Dalip Behra dhe Bekim Gashi, në përvjetorin e 26-të të rënies së tyre

banner

“Betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm,” tha Kurti.

Ai theksoi se përgjegjësia për ta vazhduar rrugën e dëshmorëve është fisnike dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Me të njëjtin mesazh doli edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili gjatë Forumit Diplomatik të Antalias, zhvilloi një takim me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Prof. Haluk Görgün.

“Diskutuam bashkëpunimet që mund të zhvillohen midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes si dhe hapat strategjikë që do të kontribuojnë në sigurinë rajonale. Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes forcon marrëdhëniet mes vendeve tona, Kosovë–Turqi, si dhe kontribuon fuqishëm në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona duke krijuar vetëqëndrueshmëri për municione të kalibrave të ndryshëm,” tha Maqedonci.

Qeveria e Kosovës këtë vit ka ndarë mbi 200 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa përgjatë katër viteve të mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, buxheti për FSK-në është rritur nga 67 në 208 milionë euro.

Në mandatin e ardhshëm, partia në pushtet është zotuar të ndajë mbi 1 miliard euro për ushtrinë, si dhe të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e municioneve dhe dronëve ushtarakë me markën “Made in Kosova”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy