Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e përshkroi sulmin me raketa ruse në Sumy , në verilindje të Ukrainës, si një akt “të tmerrshëm”.
“Unë mendoj se e gjithë lufta është një gjë e tmerrshme. Fillimi i asaj lufte është shpërdorim i pushtetit. Ky vend nuk do të kishte lejuar kurrë që ajo luftë të kishte filluar nëse unë do të isha president. Unë mendoj se është e tmerrshme. Unë u informova se ata kishin bërë gabim. Por unë mendoj se është një gjë e tmerrshme,” u tha Trump gazetarëve.
Gjithshtu edhe liderët e BE e dënuan sulmin dhe kërkuan vendosjen e një armëpushimi sa më shpejt.
Më herët, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë konsideroi se bombardimi nënvizon nevojën për negociata për t’i dhënë fund luftës, e cila shpërtheu në shkurt të vitit 2022.
“Sulmi raketor në Sumy është një kujtesë e qartë se përse përpjekjet e Presidentit Donald për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme vijnë në një kohë kritike,” tha Brian Hughes, një zëdhënës i presidentit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në SHBA.
Kujtojmë se dje u vranë të paktën 34 persona në Sumy të Ukrainës, si pasojë e sulmeve ruse. Në mesin e të vrarëve janë dy fëmijë. Të paktën 117 njerëz të tjerë janë plagosur, përfshirë 15 fëmijë.
Ushtria ruse hodhi dy raketa balistike në qendër të qytetit rreth orës 10:15 të mëngjesit, në kohën kur njerëzit ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave.
Presidenti Volodymyr Zelensky e dënoi sulmin, duke thënë se ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse në Ukrainë këtë vit, ndërsa bëri thirrje për një përgjigje të ashpër ndërkombëtare kundër Moskës dhe ftoi Donald Trump të vizitojë Ukrainën për të parë shkatërrimin e shkaktuar nga sulmi rus, në një intervistë të transmetuar dje, nga rrjeti televiziv amerikan CBS.
“Vetëm të poshtër mund të veprojnë në këtë mënyrë, duke marrë jetën e njerëzve të zakonshëm,” tha Zelensky në mediat sociale së bashku me një video rrëqethëse të trupave në tokë, një autobus të dëmtuar dhe makina të djegura në mes të një rruge kryesore.