“Gabova që hyra në Nismë” – VV e shpërblen ish-kryetarin e degës në Skenderaj si sekretar të Telekomit, pa konkurs (VIDEO)

by Nexhat

Historia e Shekip Fazliut në pozitat e larta të Telekomit lulëzoi në kohën kur PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate ishin në pushtet.

Hiset që këto parti ndanin asokohe, ndaheshin sipas përqindjeve. Sekretari i Korporatës i takonte atëbotë Nismës Socialdemokrate, pozita e shefit të financave AAK-së, ndërsa ajo e auditimit PDK-së.

banner

Edhe pse Bordit të atëhershëm të Telekomit iu deshën tre muaj, më 20 mars të vitit 2019, me unanimitet vendosi në krye të Telekomit Shekip Fazliun, në atë kohë kryetar i degës së Nismës në Skenderaj.

Opozita e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, bëri shumë zhurmë për këtë emërim. Megjithatë, duket se puna e tij u pëlqye, sepse gjatë dy mandateve të qeverisjes së Vetëvendosjes, Fazliu ka marrë edhe dy mandate të tjera për pozitën e sekretarit të Korporatës.

Mandatin e dytë e mori më 8 prill të vitit 2022, mandat ky që përfundoi më 7 prill të këtij viti. Dhe sërish, mandati i tretë iu dha “si dhuratë”, pa shpallur fare konkurs nga Telekomi.

I kontaktuar nga Kiks Kosova, vetë Fazliu ka pranuar se ka marrë mandatin e tretë në Korporatë, duke theksuar se Bordi ka vendosur emrin e tij duke u bazuar në ligj.

Por një gjë e tillë nuk qëndron, të paktën me ligj.

Kiksi ka tentuar të kontaktojë edhe me kryesuesin e Bordit, Petrit Nahi, por ai ka qenë i paqasshëm. Ndërkohë, anëtarja tjetër e Bordit, Saime Thaçi, nuk ka dashur të flasë, duke u arsyetuar se ndodhet në punë.

Në anën tjetër, kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, është dukur e nervozuar. Ajo ka refuzuar të japë deklaratë për këtë emërim, duke theksuar se kompania ka një zyrë për marrëdhënie me publikun që merret me kthimin e përgjigjeve për media.

Ndryshe nga Telekomi, dy ndërmarrje të tjera publike tashmë i kanë përzgjedhur sekretarët e tyre duke respektuar Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Në tetor të vitit 2024, Posta e Kosovës kishte shpallur konkurs për sekretar të korporatës, i cili, bazuar në rregullat e shërbimit publik, kishte qenë i hapur për më shumë se 15 ditë.

E njëjta procedurë ishte ndjekur edhe nga Korporata Energjetike e Kosovës, e cila pozitën e lirë për sekretar të Korporatës e kishte shpallur në fillim të dhjetorit të vitit 2024.

Por, arsyetimi i Fazliut se ligji i jep të drejtë Telekomit të përzgjedhë sekretarin pa konkurs publik nuk qëndron.

Kjo, sepse neni 13 i Ligjit për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike thotë qartë se procedurat për këto pozita duhet të jenë transparente dhe publike.

”Për përzgjedhjen e personave për emërim si zyrtarë të NP-së, Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës. Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë persona me integritet të njohur, të cilët i plotësojnë kushtet e kualifikimit sipas nenit 17.1.”

Për të qenë korrekt, Kiks Kosova ka dërguar pyetje edhe në Telekomin e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Nga Zyra për Komunikim me Publikun në Telekom na është thënë se pyetjet janë deleguar te Bordi, por drejtori i Bordit ndodhet jashtë vendit dhe nuk kthehet deri nga mesi i javës.

Sidoqoftë, Shekip Fazliu tashmë nuk është më pjesë e Nismës Socialdemokrate. Ai ka thënë për Kiksin se është rehatuar në punën e tij dhe nuk ka ndërmend të merret më me politikë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy